Ndërlidhjet

OKB: Evropa mund të pranojë më shumë refugjatë


Refugjatë në kufirin Slloveni-Austri.
Refugjatë në kufirin Slloveni-Austri.

Shtetet e Bashkimit Evropian mund të marrin më shumë refugjatë të vërtetë nga Siria, ka thënë shefi i ri i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, Filippo Grandi, për BBC-në.

Diplomati italian, i cili ka marrë detyrën këtë vit nga portugezi Antonio Guterres, ka folur gjatë një vizite në Liban.

Grandi po ashtu i ka bërë thirrje BE-së që të bëjë më shumë për refugjatët sirianë jashtë Evropës.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar krizë, pasi mbi një milion migrantë kanë hyrë në Evropë ilegalisht vitin e kaluar.

“Nëse Evropa nuk mund t’i mbrojë kufijtë e saj, ideja e Evropës mund të vihet në dyshim”, ka thënë këtë javë kryeministri i Francës, Manuel Valls.

“Kur të vijë pranvera dhe numrat të katërfishohen, ne, si BE, nuk do të mund të përballemi me numrat”, ka thënë të premten kryeministri holandez, Mark Rutte.

Komisionari i ri i Lartë i OKB-së për Refugjatë ka takuar të dielën refugjatë në kampet në Liban dhe Jordani.

“Evropa mund të pranojë më shumë refugjatë të vërtetë nëse ka organizim më të mirë midis shteteve anëtare. Megjithatë, ne e kuptojmë gjendjen e vështirë. Është një telash social dhe politik, i cili është shumë serioz”, ka thënë Grandi për BBC-në.

Hungaria, njëra nga kritiket më të ashpra të politikave të migracionit, ka thënë se kriza me refugjatët është “problem i Gjermanisë” pasi Gjermania është vendi ku “refugjatët do të donin të shkonin”.

Fluksi i vitit të kaluar ka shënuar krizën më të rëndë me refugjatë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG