Ndërlidhjet

logo-print

FMN: Situata politike rrezikon rritjen ekonomike


Ilustrim

Ilustrim

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë të ditur se rritja ekonomike në Kosovë për këtë vit parashihet të jetë 3.8 për qind. Sipas tyre, kjo është një rritje e mirë, por jo e mjaftueshme.

RuudVermeulen, shef i zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Prishtinë, ka thënë se situata e vështirë politike mund të ndikojë në realizimin e parashikimeve të rritjes ekonomike.

Nëse vazhdon kjo situatë, sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk mund të miratojë ligje të reja

Kjo gjë është shqetësuese, ka thënë Vermeulen, dhe atëherë duhet të bëhen ndryshime në parashikimet për rritje ekonomike.

“Gjithashtu ekzistojnë edhe disa rreziqedrejt realizimit të këtyre parashikimeve, siç është situata e vështirë politike, e cila mund të ketë ndikim në uljen e konsumit, investimeve, por edhe në uljen e grumbullimit të të hyrave”, ka thënë ai.

Ndryshe, edhe Grupi i Qeverisë së Kosovës për monitorimin e implementimit të Marrëveshjes ‘Stand-By’ me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të hënën ka raportuar për progresin dhe veprimet e planifikuara për periudhën e ardhshme.

Në një komunikatë për media të Ministrisë së Financave thuhet se “ u konstatua se deri më tani janë implementuar të gjitha reformat që lidhen me Programin ‘Stand-By’, duke mundësuar përmbylljen me sukses të vitit fiskal 2015 dhe aprovimin nga Bordi i FMN-së të Rishikimit të parë të marrëveshjes”.

Në komunikatë gjithashtu thuhet se ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti ka informuar të pranishmit se përmbyllja e vitit fiskal 2015 ka treguar një performancë shumë të mirë, me një rritje të konsiderueshme të të hyrave tatimore, kontroll të rreptë të shpenzimeve, deficit buxhetor më të ulët se kufiri ligjor, si dhe rritje të konsiderueshme të rezervës fiskale.

Edhe shefi i FMN-së për Kosovë, Ruud Vermeulen ka thënë se qeveria ka treguar disa rezultate të mira fiskale. Këto rezultate, sipas tij,janë rrjedhojë e uljes se disa shpenzimeve joproduktive të qeverisë, duke përfshirë pagatdhe mëditjet, si dhe mallrat dhe shërbimet.

Në këtë mënyrë, ka thënë ai, janë hapur rrugë për investime të nevojshme në infrastrukturë dhe në fusha tjera.

Si lajm të mirë, Vermeulen e konsideron mos lejimin e rritjes së pagave, siç ka ndodhur viteve të fundit, në prag të zgjedhjeve.

“Ligji për ngritjen e pagave nuk do të hyjë në fuqi deri në vitin 2018 , por edhe kur të hyjë në fuqi, ngritja e pagave do të lidhet më lëvizjen e zhvillimit ekonomik”, tha Vermeulen.

Këto komente ai i bëri në një konferencë për media, në të cilën ka treguar se bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka aprovuar rishikimin e parë të marrëveshjes së këtij institucioni me Qeverinë e Kosovës. Ai ka thënë se ekzekutivi i Kosovës i ka përmbushur të gjitha veprimet e nevojshme.

“Pra, fakti që ky rishikim është miratuar , kuptohet se veprimet janë përmbushur nga qeveria e Kosovës dhe janë realizuar reformat. Por, tash është lëshimi i këstit të dytë të financimit prej rreth 35 milion euro, e që kjo e ngrit totalin e fondit të mjeteve të lëshuara në rreth 70 milion euro” , tha ai.

Ndryshe, Republika e Kosovës në muajin qershor kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej rreth 185 milionë eurosh, në kohëzgjatje prej 22 muajsh, siç thuhet, për realizimin e disa projekteve kapitale, të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG