Ndërlidhjet

Kosovë – Serbi: Me 1 mars nis njohja reciproke e diplomave


Edita Tahiri

Edita Tahiri

Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave, e cila është arritur javën e kaluar në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, do të nis të zbatohet me 1 mars 2016, ka njoftuar ministrja për dialog e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri.

Mëtutje në kumtesën e sotme, ajo ka theksuar se “kjo është një marrëveshje e re për diplomat, e cila është më e zgjeruar se ajo e vitit 2011, sepse përfshinë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit, prej shkollës fillore, e deri te arsimi i lartë universitar si dhe nivelet profesionale”.

Ministrja Tahiri, ka theksuar se kjo marrëveshje “ka një rëndësi të madhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse shumica e tyre kanë studiuar dhe diplomuar në Kosovë”.

Me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia janë pajtuar që të njohin reciprokisht këto diploma: diplomat e shkollës fillore, të mesme, shkollimit vokacional, nivelin e pestë të kualifikimeve sipas kornizës së kualifikimeve evropiane (EQF), diplomat bachelor, master dhe doktoraturat.

Njohja reciproke e diplomave bëhet përmes procesit të certifikimit ndërkombëtar të diplomave nga një palë e tretë. Këtë certifikim do të bëjë Asociacioni i Universiteteve Evropiane ( European Association of Universities – EAU) dhe pastaj diplomat e certifikuara konsiderohen të njohura nga të dy shtetet.

Marrëveshja për diplomat vlen vetëm për diplomat që janë marrë nga universitetet e akredituara në shtetet përkatëse, Kosovë dhe Serbi.

XS
SM
MD
LG