Ndërlidhjet

Twitter: Katër udhëheqës të lartë largohen nga kompania


Kompania Twitter thotë se katër udhëheqës të saj të lartë po largohen nga postet e veta.

Aksionet e saj sot në mëngjes kanë rënë për 4%.

Shefi kryesor i kompamnisë, Jack Dorsey, nëpërmjet një postimi tha se Alex Roetter, Skip Schipper, Katie Stanton dhe Kevin Weil, po largohen nga kompania.

Zoti Dorsey theksoi se dëshironte që për këtë çështje t’i njoftonte punëtorët më vonë këtë javë, por për shkak të “thashethemeve të pasakta në shtyp” e ka publikuar postimin e tij në Twitter.

Pas një periudhe të gjatë të rritjes së shpejtë, duke e shndërruar në njërën nga kompanitë më të kërkuara në Internet, rritja e Twitterit është ngadalësuar në mënyrë dramatike gjatë një viti e gjysmë të fundit, me ç’rast kjo kompani me seli në San Francisko, e humbi hapin me liderin e rrjeteve sociale, kompaninë Facebook, e cila i ka 1.5 miliardë shfrytëzues.

Problemet e kompanisë Twitter për pasojë e patën largimin e shefit kryesor, Dick Costolo, në korrik të vitit 2015, dhe kthimin e zotit Dorsey, i cili nga ky rrjet ishte përmbysur në vitin 2008.

Dorsey ka ndihmuar në zbulimin e rrjetit Twitter në vitin 2006 dhe e kishte imponuar kufizimin në 140 karaktere për mesazhe, në mënyrë që shërbimi do të jetë i lehtë për përdorim në telefonat mobilë, që në atë kohë e kishin kufizimin prej 160 karaktereve për tekste.

Aktualisht, në telefonat mobilë nuk ekziston ky kufizim, prandaj në Twitter po shikohet mundësia e zgjerimit në mbi 140 karaktere, me qëllim që shërbimi të jetë më tërheqës për një audiencë më të gjërë.

Aksionet e kompanisë Twitter kanë rënë më tepër se 56% gjatë vitit të kaluar, raporton AP nga Nju Jorku.

XS
SM
MD
LG