Ndërlidhjet

Maqedoni: Kërkohet llogari nga Prokurorja Speciale


Ilustrim

Ilustrim

Këshilli i Prokurorëve në Maqedoni, ka sjellë vendim që Prokurorja Speciale Katica Janeva të japë llogari sa i përket pranim-dorëzimit të materialeve me bisedat e përgjuara nga lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev më 30 dhjetor të vitit të kaluar.

“Neve na intereson numri si statistikë, sa materiale ka pranuar Prokurorja Speciale, për këtë gjë nëse është bërë proces-verbal, ose nëse ekziston ndonjë vërtetim për materialet e pranuara, këtë e bëjmë me të vetmin qëllim sepse edhe në opinion ka shumë paqartësi rreth materialeve të pranuara nga Prokuroria Speciale”, ka deklaruar para gazetarëve, kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.

Megjithatë, Anevski nuk dha përgjigje konkrete se pse në mbledhjen e Këshillit të Prokurorëve nuk është ftuar prokurorja.

“Në seancën e sotme është sjellë vendimi që ajo (Prokurorja Speciale Katica Janeva), të marr pjesë në seancën e ardhshme për ta arsyetuar punën e saj të deritanishme” ka theksuar Anevski.

Por, ekspertët juridik, duke komentuar vendimin e Këshillit të Prokurorëve për të kërkuar llogari nga Prokurorja Speciale, Katica Janeva, për pranim-dorëzimin e materialeve me bisedat e përgjuara, thonë se në në këtë mënyrë synohet të krijohet presion ndaj Prokurorisë Speciale për të penguar veprimin e saj që të hetojë aktivitetet kriminale të udhëheqësve të caktuar të pushtetit.

“E gjithë kjo që po ndodh rreth Prokurores Speciale Katica Janeva, paraqet sulm të organizuar nga ana e institucioneve në Maqedoni, ndaj të gjithë atyre të cilët angazhohen përkatësisht luftojnë për kthimin e demokracisë".

"Më duhet të theksoj se në këtë moment është shumë e dëmshme që kërkohet çfarëdo lloj raporti nga Janjeva, sepse është më se e qartë se në këtë situatë politike në të cilën ndodhet vendi, me veprimet e këtilla nga ana e Këshillit të Prokurorëve synohet të stopohen të gjitha aktivitet e Prokurorisë Speciale”, thekson Trendafil Ivanovski ish kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit të Prokurorëve në Maqedoni, Petar Anevski ka bërë të ditur se dy antarë të ekipit të Prokurorisë Speciale edhe atë prokurorët Lejla Kadriu dhe Marija Gjorevska, janë ankuar te Këshilli i Prokurorëve sepse Prokurorja Speciale Katica Janeva i ka përjashtuar që të punojnë për Prokurorinë Speciale Publike.

Ndërkohë, nga Kabineti i Prokurores Speciale, përmes e-mailit për Radion Evropa e Lirë kanë bërë të ditur se Këshilli i Prokurorëve nuk e njoftuar zonjën Janeva se do të diskutohet për punën e saj.

Prokuroria Speciale si institucion është ngritur në bazë të marrëveshjes politike të arritur vitin e kaluar mes katër partive politike dhe ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG