Ndërlidhjet

Lavrov: Gjermania fsheh përdhunimin e vajzës ruse


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka akuzuar Gjermaninë për fshehjen e përdhunimit të një vajze migrante ruse, 13 vjeçe.

Lavrov ka vënë në dyshim trajtimin që po i bën Gjermania rastit të vajzës, e cila është zhdukur për disa orë më 11 janar.

Prokurorët në Berlin janë duke hetuar dy burra në lidhje me incidentin, por kanë shprehur dyshim nëse vajza, e identifikuar si Lisa F., është përdhunuar, duke thënë se dëshmia e saj për incidentin përmban kundërthënie.

“Shpresoj se problemet me migrantë nuk çojnë në përpjekje për të fshehur realitetin për arsye të brendshme politike. Është e qartë se vajza nuk është zhdukur vullnetarisht për 30 orë”, ka thënë Lavrov.

Incidenti ka shkaktuar stuhi në media dhe tubime publike, të organizuara nga komuniteti rus në Berlin.

Protestuesit kanë thënë se vajza është rrëmbyer dhe përdhunuar nga një grup i migrantëve nga Lindja e Mesme.

Një zëdhënës i Zyrës së Prokurorit i ka vënë në pikëpyetje këto akuza, duke thënë se autoritetet, deri më tash, nuk kanë qenë në gjendje të qartësojnë atë që ka ndodhur gjatë periudhës në fjalë.

Televizioni shtetëror rus ka dalë me një raport për vajzën më 16 janar, duke publikuar edhe një video, në të cilën sulmuesit e supozuar pranojnë krimin.

Në raport është thënë se videoja është siguruar nga grupi i hakerëve, Anonymous.

Megjithatë, disa autoritete kanë vënë në dyshim vlefshmërinë e videos.

XS
SM
MD
LG