Ndërlidhjet

logo-print

HRW: Përparime të kufizuara në Kosovë

  • RFE /RL

Organizata ndërkombëtare Human Right Watch në raportin e publikuar të mërkurën ka vënë në pah mangësi sa i përket trajtimit të pakicave, lirisë së mediave, probleme ndëretnike si dhe mangësi në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Sipas raportit, gjatë vitit 2015, mbrojtja e të drejtave të njeriut ka përparuar me ritme të ngadalta sikurse që ka përparuar shumë pak edhe zbatimi i programeve për integrimin e numrit në rritje të romëve, ashkalinjëve dhe egjiptianëve që janë kthyer në Kosovë nga Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane.

“Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët, vazhdojnë të kenë probleme në lidhje me pajisjen me dokumenta personale, gjë që ndikon në aftësinë e tyre për të përfituar shërbime shëndetësore, asistencë sociale dhe arsim".

"Mungesa e vullnetit politik, fondeve, dhe bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve qendrore dhe vendore ka sjellë dështimin e zbatimit të plotë të strategjisë së 2010 për integrimin e komuniteteve rome, ashkali dhe egjiptiane”, thuhet në raport.

Pos që përmendet kthimi i pjesëtarëve të minoriteteve, në raport përmenden edhe numri i madh i shqiptarëve etnikë që kanë shkuar në fillim të vitit të kaluar në vendet evropiane e që shumë pak nga ta janë kthyer dhe riatdhesuar.

Raporti vë në pah edhe çështjen e mediave dhe tensioneve në mes të shqiptarëve dhe serbëve.

Sipas HRW, gazetarët në Kosovë kanë vazhduar të përballen me kërcënime dhe kanosje edhe gjatë 2015-tës.

“Gazetarët të cilët kanë raportuar për grupet islamike janë veçanërisht të ekspozuar ndaj kërcënimeve. Të paktën një gazetar investigativ u detyrua të largohet përkohësisht nga Kosova në 2015 për shkak të kërcënimeve me vdekje”, thuhet në raport.

Sipas raportit, ndaj gazetarëve nuk ka pasur sulme fizike, por në Shoqatën e Gazetarëve Profesionist janë regjistruar 22 ankesa për kërcënime dhe kanosje.

“Tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës kanë vazhduar veçanërisht në veri të vendit. Ka shënuar përparim procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin”, thuhet mes të tjerash në raportin e HRW.

Sa u përket tensioneve ndëretnike në raport përmendet plagosja e një të riu serb në muajin prill në Mitrovicë nga një person i panjohur, rast i cili ende nuk është zbuluar.

Vec kësaj përmenden edhe përleshjet në janar të vitit të kaluar të cilat “shpërthyen ndërmjet policisë speciale dhe disa mijëra protestuesve që kërkonin shkarkimin e Aleksandar Jabllanoviqit, një ministër serb i cili i përkufizoi si “njerëz të egër” shqiptarët që bllokuan besimtarët serbë gjatë vizitës së një kishe në Gjakovë. Jabllanoviqi u shkarkua nga pozita e tij në shkurt".

Në raport përmenden edhe ndryshimet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale “për hetimin e krimeve të rënda të kryera gjatë konfliktit në Kosovë në 1998-1999 dhe pas tij, nga ana e ish anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së)”, por edhe verdikti i shpallur vitin e kaluar ndaj Grupit të Drenicës, ku kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku dhe të tjerët të akuzuar janë dënuar me gjithsej 65 vjet burgim.

HRW ka përmendur Raportin e Progresit të BE-së të publikuar në muajin tetor i cili ka vënë në pah se “administrimi i drejtësisë është i ngadaltë, mungon përgjegjësia nga ana e zyrtarëve gjyqësore, dhe strukturat gjyqësore vazhdojnë të jenë pre e ndërhyrjeve politike”.

HRW e ka cituar edhe raportin e të drejtave të njeriut të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Kosovën të publikuar në qershor e i cili ka shfaqur “shqetësim për lirinë e lëvizjes dhe besimit nga ana e besimtarëve ortodoksë serbë, dhunës kundër grave dhe diskriminimit të pakicave etnike, personave me paaftësi, dhe anëtarëve të komunitetit LGBT”.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG