Ndërlidhjet

Hakeri kosovar paraqitet para gjykatës amerikane


Ilustrim
Ilustrim

Shtetasi i Kosovës, Ardit Ferizi, 20 vjeçar, i akuzuar për depërtim në të dhënat personale të 1,351 pjesëtarëve të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe dërgimin e tyre në grupin ekstremist, Shteti Islamik, të mërkurën për herë të parë është paraqitur në një gjykatë amerikane.

I akuzuari Ferizi është paraqitur në një gjykatë në Virxhinia të SHBA-ve, për t’u ballafaquar me akuzat për terrorizëm. Ai ishte ekstraduar nga Malajzia, ku u arrestua në muajin tetor të vitit të kaluar, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në aktakuzë theksohet se hakeri nga Kosova kishte depërtuar në një server kompjuterik ‘online’ të një kompanie tregtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kishte vjedhur të dhëna identifikuese për pjesëtarët e ushtrisë.

Mesazhet në rrjetin ‘Twitter’ kanë treguar se Ardit Ferizi po ashtu kishte dhënë ofertë për të krijuar një program kompjuterik për publikimin e propagandës së grupit militant, Shteti Islamik, i cili, siç thuhet në aktakuzë, “kurrë nuk mund të fshihet”.

Zyrtarët amerikanë e patën quajtur rastin e të akuzuarit Ferizi si “llojin e parë të këtillë”, kur vitin e kaluar ishte lajmëruar për arrestimin e tij.

Nëse shpallet fajtor, Ferizi mund të dënohet me burg në kohëzgjatje prej 35 vitesh.

XS
SM
MD
LG