Ndërlidhjet

Freedom House - Mungesë e lirisë së shprehjes në Maqedoni


Ilustrim

Ilustrim

Raporti i organizatës “Freedom House” mbi të drejtat politike dhe liritë civile, Maqedoninë e ka radhitur në grupin e shteteve pjesërisht të lira, duke kritikuar kryesisht sferën e lirisë së shprehjes.

“Maqedonia ka shënuar rënie të lirive, si pasojë e parregullsive në zgjedhjet parlamentare në vitin 2014, që nxitën bojkotin e punës së Kuvendit nga opozita, dhe pas informatave për përfshirjen masive të pushtetit në përgjimin e liderëve politikë, gazetarëve dhe qytetarëve”, theksohet në raportin e “Freedom House”.

Qeveria maqedonase, ashtu sikur edhe viteve të kaluara, nuk e ka komentuar përmbajtjen e këtij raporti, ndërsa njohësit e çështjeve mediatike thonë se ai e pasqyron gjendjen në Maqedoni, për të cilën tanimë janë të njoftuara edhe institucionet më relevante ndërkombëtare.

Fakt për këtë, sipas tyre, janë bisedimet që po zhvillohen që disa muaj për rregullimin e çështjes së medieve, në mënyrë që puna e tyre të jenë e pavarur dhe larg ndikimeve politike.

“Askujt në Maqedoni më nuk i bëjnë përshtypje raportet negative për lirinë e medieve. Ajo që ne flasim me vite për deficitin e lirisë së medieve dhe lirisë së fjalës në Maqedoni tani vetëm se po konstatohet, meqë ne këto vlerësime i bëjmë në bazë të argumenteve dhe nuk janë vlerësime vetëm sa për të thënë”.

“Organizatat ndërkombëtare vlerësimet e tyre i ndërtojnë mbi argumentet. Ne iu kemi krijuar një bazë të mirë të argumenteve dhe ato vetëm se e konstatojnë gjendjen të cilën ne e kemi në Maqedoni”, thotë Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Ai ka kritikuar edhe propozimet e fundit, të dala nga takimet e partive politike, qoftë për transmetuesin publik, apo ato për ndarjen e reklamave, punën e agjencisë së medieve, si dhe gjobat për shkeljen e ligjit.

Nga ana tjetër, Sefer Tahiri, profesor në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se partitë politike nuk janë të interesuara për lirinë e medieve, pasi përmes kontrollit të punës së tyre ato i realizojnë qëllimet e tyre politike.

“Konsideroj se në Maqedoni nuk ka aspak vullnet politik që të ketë medie të lira dhe të pavarura, pasi partitë politike i shohin mediet vetëm si instrument të propagandës së tyre”.

“ Pra, në asnjë mënyrë nuk mund t’i shohin si korrigjues të padrejtësive që u bëhen qytetarëve apo si korrigjues të politikave publike. Mendoj se ky mentalitet i vjetër i trajtimit të medieve është një shërbim i keq që i bëhet vendit në procesin e demokratizimit, pikërisht nga elita politike e cila nuk po manifeston asnjë vullnet për demokratizimin e sistemit mediatik”, thotë Tahiri.

Ngjashëm vlerëson edhe Zhaneta Trajkovska nga Shkolla e Lartë e Gazetarisë në Shkup. Ajo ndalet në propozimin e VMRO-së që pushteti dhe opozita të ketë nga një redaktor në Radio Televizionin e Maqedonisë, propozim ky që ka nxitur reagime të shumta në opinion.

“Partitë politike me siguri se harrojnë, apo nuk dëshirojnë ta dinë se çfarë është transmetuesi publik, se cili është roli i Radio Televizionit të Maqedonisë, se ai nuk është transmetues partiak që të mund të ndahet në bazë të numrit të deputetëve që kanë partitë në Kuvend”.

“ Ato(partitë politike) duhet ta kenë të qartë se kemi të bëjnë me një shërbim që është në funksion të të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo edhe të atyre që nuk kanë votuar fare në zgjedhje”.

“ Propozimi i tillë është një marrëzi e paparë, për të cilën as që duhet të flitet, e lërë më të jetë objekt negocimi mes partive. E gjithë kjo tregon se partitë nuk bartin as përgjegjësinë më të vogël ndaj qytetarëve dhe se prioritet kryesor i tyre janë interesat partiake”, thotë Trajkovska.

Ndryshe, përveç kritikave që adresohen nga Freedom Houese, Maqedonia kritika për gjendjen në medie ka marrë edhe nga të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, të cilat vendin e kanë radhitur në grupin e shteteve me liri të kufizuar të shprehjes.

XS
SM
MD
LG