Ndërlidhjet

Krimi i dyshuar seksual ashpërson retorikën midis Rusisë e Gjermanisë


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Rusia insiston se Gjermania duhet të paraqesë të gjitha detajet e hetimit të përdhunimit të dyshuar të një vajze gjermano-ruse, 13 vjeçe, nga migrantët arabë.

Meqë një shtetase ruse është e përfshirë, ne kemi të drejtë të presim hetimet, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Prokurorët në Berlin janë duke hetuar dy burra në lidhje me incidentin, por kanë shprehur dyshim nëse vajza, e identifikuar si Lisa F., është përdhunuar, duke thënë se dëshmia e saj për incidentin përmban kundërthënie.

Trmbëdhjetëvjeçarja ka qenë e zhdukur për disa orë më 11 janar. Familja e saj u ka thënë autoriteteve se vajza është rrëmbyer dhe përdhunuar nga një burrë me pamje si nga Lindja e Mesme.

Incidenti ka shkaktuar stuhi në media dhe tubime publike, të organizuara nga komuniteti rus në Berlin.

“Pasi kemi të bëjmë me një qytetare të Federatës Ruse, ne jo vetëm që presim përfundimin e hetimeve, por në bazë të normave të botës së qytetëruar, duhet të informohemi për çdo incident që prek shtetasit e Federatës Ruse. Një gjë e tillë nuk është bërë në këtë rast. Kjo lë hapësirë për interpretime të ndryshme të kësaj situate”, ka thënë Lavrov.

Ai i ka bërë këto komente në Ashgabad të Turkmenistanit, në përgjigje të deklaratave të ministrit të Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili ka thënë se komentet e Lavrovit më 26 janar, në lidhje me rastin, janë ndërhyrje në punët e brendshme të Gjermanisë.

Lavrov, gjatë konferencës së tij vjetore në Moskë, ka akuzuar Gjermaninë për, siç ka thënë, fshehjen e përdhunimit të vajzës.

“Ne nuk po ndërhyjmë në punët e shteteve të tjera. Komentet që lidhen me situata të të drejtave të njeriut nuk janë parë kurrë si ndërhyrje në çështjet e brendshme të shteteve të tjera”, ka thënë të enjten Lavrov.

Ai ka shtuar se transparenca më e madhe për rastin do të ishte më e mirë për marrëdhëniet midis dy vendeve.

Të mërkurën, zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, ka thënë se është e papranueshme që incidenti të shfrytëzohet për qëllime politike.

“Ne kemi një gjyqësor të pavarur, të cilit çdo qytetar mund t’i besojë. Dhe, ky gjyqësor duhet të jetë në gjendje të kryejë hetimet pa ndërhyrje nga jashtë”, ka thënë Seibert.

Fundjavën e kaluar, rreth 700 njerëz kanë protestuar përpara zyrës së kancelares gjermane, Angela Merkel, me parulla që lexonin: “Fëmijët tanë janë në rrezik” dhe “Sot fëmija im, nesër i yti”.

Krimet e dyshuara seksuale nga migrantët kanë tronditur Gjermaninë dhe kanë vënë presion mbi autoritetet, pasi mbi 600 gra kanë raportuar se janë sulmuar seksualisht natën e Vitit të Ri.

Gjermania ka pranuar mbi 1.1 milion migrantë vitin e kaluar. (v.tela)

XS
SM
MD
LG