Ndërlidhjet

Kardiologët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të enjten kanë filluar të mbajnë grevë në vendin e tyre të punës.

Kjo pasi që Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet ndaj disa mjekëve në gjithë Kosovën, kryesisht kardiologë, me dyshimin se janë rekomanduar pacientët të shkojnë në spitale private, për vendosjen e stentave.

Gjithashtu mjekët akuzohen për mitmarrje dhe invasion fiskal.

Kardiologu Gani Bajraktari i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Prokuroria e Shtetit ka deklaruar se janë duke u hetuar 100 kardiologë, ndërkohë që pohon se sipas këtij numri, janë duke u hetuar të gjithë mjekët e kësaj lëmie.

"Kardiologët e klinikës sonë, në bashkërendim me sindikatën e QKUK-së, kanë filluar grevën për shkak të publikimit të lajmit se po hetohen 100 kardiologë, e që i bie se gjithë kardiologët e Kosovës po hetohen".

"Preteksti që kardiologët janë futur në këtë grevë, ndihen të pasigurt për t'u ballafaquar me pacientët, për shkak të publikimit të lajmit. Normal që ne nuk jemi kundër hetimeve, pasi që prokuroria ka të drejtë të hetojë çdo individ, por për shkak të publikimit të lajmit janë të gatshëm të heqin dorë nga puna në sektorin publik", tha Bajraktari.

Por, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka thënë se sa i përket grevës së kardiologëve, është vullnet i vet atyre për të bërë një gjë të tillë ose jo, por, siç ka thënë ai, ndaj mjekëve nuk do të ketë kurrfarë hetimi të padrejtë.

"Unë do të kujdesem personalisht që hetimet të jenë të drejta dhe të ligjshme, dhe nëse gjatë provave nuk ka fakte të mjaftueshme se ata e kanë shkelur ligjin, do të mbyllen hetimet".

"Por, nëse sigurohen provat sigurisht që do të përfundojnë me aktin akuzues. Sigurisht mjekët do të kenë të drejtën ligjore që ua garanton Kushtetuta e Kososvës që të deklarohen dhe t'i prezentojnë faktet që shkojnë në favor të tyre", ka thënë Lumezi.

Ndryshe, të enjten kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka pritur ne takim kryetarin e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, kreytarin e Sindikatës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, si dhe një përfaqësues të kardiologëve.

Blerim Syla nga FSSHK ka thënë se janë kundër spektakleve mediatike, dhe jo kundër hetimit të mantel-bardhëve që duhet të hetohen.

"Nuk janë për keqpërdorim të detyrës, por për invasion fiskal, dhe mitmarrje, dhe është çështje që nuk mund të ikë askush prej këtyre shkeljeve. Nuk janë nën hetime rë gjithë kardiologët. Hetimet nuk bazohen në shkelje të drejtave të pacientëve, por qeveria dhe prokuroria kanë të drejtë të kryejnë punën e vet. Ne kemi kërkuar që në të ardhmen mos të bëhen spektakle mediale".

"Nuk ka nevojë të bëhet mediatike. Ata që kanë bërë gabime, ata edhe do të japin përgjigje, e sigurisht prokuroria duhet të kryejë punën e vet", tha Syla.

Sidoqoftë, përfaqësues të Sindikatës së Shëndetësisë kanë insistuar që të mos bëhen publik emrat e punëtorëve shëndetësor që janë nën hetime, deri sa të merret vendim i formës së prerë nga ana e gjykatës për fajësinë e tyre.

Por, ata kanë njoftuar se greva në Kardiologji do të vazhdojë deri në reflektim për takim me ministrin e Drejtësisë, ministrin e Shëndetësisë, Bordin e Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës dhe drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG