Ndërlidhjet

Oliver Ivanoviq dërgohet në burg


Oliver Ivanoviq

Oliver Ivanoviq

Lideri i Nismës Serbia, Drejtësia, Demokracia, Oliver Ivanoviq, është dërguar të enjten në burg.

Më 21 janar, ai ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Mitrovicën Veriore, për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”. Fillimisht, Ivanoviqit i ishte shqiptuar masa e burgut shtëpiak, por tani ai është dërguar në burg, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati i tij, Nebojsha Vllajiq.

“Sot rreth orës 14 erdhi policia te banesa e tij dhe solli vendimin për mbajtjen në paraburgim dhe e morën atë”, ka thënë avokati, Nebojsha Vllajiq. Sipas tij, me vet faktin që Ivanoviq ishte në shtëpi, ai nuk kishte ndërmend të ikte dhe se ishte i gatshëm që të përballej me këtë proces deri në fund.

Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX, përmes një komunikate të lëshuar kishte bërë me dije se gjykata ka vërtetuar se më 14 prill të vitit 1999, forcat serbe i larguan me forcë shumë familje shqiptare nga shtëpitë e tyre dhe i mblodhën jashtë në rrugë.

Një grup i paramilitarëve dhe policëve në atë datë e kishte ndarë dhe marrë “një grup të meshkujve nga ushtria derisa arritën te pika e kontrollit të policisë/paramilitarëve” Sipas komunikatës, Oliver Ivanoviqi ishte pjesë e grupit të paramilitarëve/policisë të pranishëm në pikën e kontrollit. Ai mbante uniformë të kaltër dhe ishte i armatosur. Pastaj, këta meshkuj u shoqëruan përmes kësaj pike të kontrollit. Katër meshkuj u vranë derisa ky operacion u ndal për shkak të ardhjes së një personi të uniformuar, i cili dha urdhër për t’u ndalur”, thuhej në kominikatën e lëshuar nga misioni EULEX.

XS
SM
MD
LG