Ndërlidhjet

logo-print

Demokrati Sanders, i preferuar nga të rinjtë


Senatori amerikan, Bernie Sanders, kandidat i demokratëve për president të SHBA-ve

Senatori amerikan, Bernie Sanders, kandidat i demokratëve për president të SHBA-ve

Në një mbrëmje të ftohtë, në një lokal në bodrum afër sheshit Embassy Row në Uashington, dëgjohet një gumëzhimë nga mbështetësit e senatorit socialist 74 vjeçar, Bernie Sanders, i cili po synon të bëhet president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Jose Woss, vullnetar 30 vjeçar, ndërmjet bisedave telefonike shpjegon se “Bernie Sanders është me të vërtetë freskues”. Më tutje, ai thekson:

“Ai është një zë i madh për disa çështje të fuqishme progresive, për të cilat ne mund të kujdesemi, pasi shumë fonde po shkojnë kah profiti i korporatave, burgjet private, mbyllja e imigrantëve, pastaj luftërat, kontraktorët e mbrojtjes. Si rrjedhojë, nuk shkojnë para të mjaftueshme për shkolla, për njerëzit e zakonshëm, mësuesit. Po ashtu, njerëzit duhet të kenë më tepër qasje në kujdesin shëndetësor”, thotë Jose Woss.

Përshkrimi se ai është person me flokë të thinjura në të 70-tat mund të duket i çuditshëm për këtë njeri, i cili është senatori i pavarur i Shteteve të Bashkuara, me mandatin më të gjatë në histori. Por, duket se Sanders është i popullarizuar në mesin e të rinjve.

Vullnetari Woss dhe 16 të tjerë e përbëjnë një “bankë telefonike”, në të cilën vullnetarët e pajisur me shënime për regjistrat e votuesve dhe me telefona, përpiqen ta përhapin entuziazmin e tyre.

“Bankat telefonike” janë pjesë madhore e secilës fushatë zgjedhore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej presidencës e deri te garat e këshillave të qyteteve. Rëndësia e tyre nuk mund të neglizhohet në garën aktuale presidenciale, që i ka befasuar dhe habitur shumë ekspertë.

Një nga aspektet më befasuese është lufta e Sanders për të siguruar nominimin e Partisë Demokratike, me shpresë se do ta zëvendësojë bashkëpartiakun Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo garë, si për demokratët, ashtu edhe për republikanët, fillon më 1 shkurt në Ajova dhe vazhdon pas një jave në Nju Hempshër.

Bernie Sanders është kandidati më i moshuar në garën presidenciale amerikane. Rivalja më e fortë demokrate e tij, Hillary Clinton, ish-sekretare amerikane e shtetit, është 68 vjeçare.

Në pjesën republikane, ku fushata kohë pas kohe i ka përngjanë një atmosfere të cirkut, kandidati më i moshuar është miliarderi dhe tregtari me patundshmëri, Donald Trump, i cili i ka 69 vjet.

Larry Sabato është drejtor i Qendrës për Politika në Universitetin e Virxhinias. Ai konsideron se është gjë e jashtëzakonshme se si po zhvillohet gara Sanders – Clinton.

“Mendoj se shoku më i madh është se si një e nominuar e pashmangshme - së paku është mënyra se si është parë Hillary Clinton - është në fakt në një garë ekstremisht të ngushtë me socialistin 74 vjeçar, i cili kurrë më parë nuk e ka identifikuar veten me Partinë Demokratike, por këtë e ka bërë vetëm para disa muajve. Kjo është pothuajse e pabesueshme”, tha Larry Sabato.

Para debatit demokratik më 17 janar, që ishte i fundit para votimeve të para në Ajova dhe Nju Hempshër, hulumtimet kombëtare të opinionit tregonin se udhëheqja e zonjës Clinton ndaj zotit Sanders kishte rrëshqitur dukshëm në mesin e votuesve të garës partiake.

Hulumtimi i përbashkët New York Times/CBS News ka treguar se këta votues nën moshën 45 vjeçare e mbështesin Sandersin në raportin 2:1 ndaj ish-sekretares së shtetit, Hillary Clinton dhe ish-senatore e Nju Jorkut.

Shtrohet pyetja nëse entuziazmi për Sandersin në mesin e votuesve të moshës prej 18 e deri në 29 vjeçare do të jetë i tillë sikur ai për Obamën, në vitin 2008 dhe 2012, kur kjo grupmoshë paraqiste përparësi për të ndaj rivalëve të atëhershëm, përfshirë zonjën Clinton.

Barack Obama ishte zgjedhur duke u bërë presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sanders e ka forcuar karrierën e tij politike në shtetin verior, Vermont, ku më se 94 për qind e banorëve janë të bardhë.

Për një kohë të gjatë zonja Clinton ka pasur mbështetje të fuqishme në mesin e votuesve me ngjyrë, pjesërisht edhe për shkak të trashëgimisë të popullaritetit të bashkëshortit të saj, Bill Clinton, në mesin e votuesve të tillë, kur ai ishte president.

Dante Chinni është drejtor i Projektit amerikan të Komuniteteve në Universitetin Shtetëror të Miçigenit. Lidhur me zotin Sanders dhe gjasat e tij në Ajova dhe Nju Hampshër, në krahasim me rivalen Hillary Clinton, ai thekson:

“Arsyeja se ai po udhëheq në këto vende është se ai po punon mirë me votuesit e rinj, dhe ky elektorat është në masë të madhe i bardhë. Por, kur ju shikoni në përmasa kombëtare, Hillary Clinton, aktualisht udhëheq... ajo udhëheq në mesin e votuesve të rinj me një epërsi të vogël. Por, mendoj se kur të ketë ndryshim, dhe kur ju filloni t’i konsideroni dallimet lidhur me racën dhe minoritetet, numrat do të lëvizin”, tha Dante Chinni.

Më herët këtë muaj, zonja Clinton e lavdëroi legjislacionin gjithëpërfshirës të kujdesit shëndetësor, të miratuar në vitin 2010, duke vlerësuar se “kjo ishte njëra nga të arriturat madhore të presidentit Obama, nga Partia Demokratike, për vendin tonë”.

Këto komente, në debatin e 16 janarit në Karolinën Jugore, ku votimet e para mbahen më 27 shkurt, duket se sinjalizojnë se strategjia e saj për ta mundur Sandersin do ta përfshijë edhe elementin e vazhdimit të politikës së Barack Obamës.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG