Ndërlidhjet

Maqedoni: Mjetet e BE-së s’arrijnë tek organizatat që ndihmojnë migrantët


Migrantë në kufirin Serbi - Maqedoni

Migrantë në kufirin Serbi - Maqedoni

Kufiri Maqedoni-Greqi është i lirë vetëm për migrantët, të cilët vijnë nga Siria, Iraku dhe Afganistani dhe në dokumentacionin e tyre theksojnë se destinacion i fundit i tyre është Gjermania apo Austria, thonë zyrtarë nga dikasteri i policisë së Maqedonisë.

Nga ky dikaster njoftojnë se ditëve të fundit përgjatë vijës kufitare Maqedoni – Greqi, policisë maqedonase, që është e angazhuar për realizimin e kontrolleve rrutinë, i janë bashkuar dhe pjesëtarë të forcave policore nga Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Hungaria, të cilët nga afër e mbikëqyrin krizën me migrantët që lëvizin drejt vendeve të BE.

Autoritetet zyrtare të Maqedonisë duke komentuar mbylljen e kufirit të më shumë vendeve të BE-së, për refugjatët, thonë se deri më tani nuk është diskutuar për ngritjen e kampeve ku do të mund të qëndronin më gjatë migrantët nga vendet e përfshira nga lufta në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Anastasija Ilievska, e cila është e angazhuar në Qendrën kontaktuese për çështjen e migrantëve me Bashkimin Evropian, thotë se tani për tani nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

“Nuk ka nevojë për zgjerimin e kapaciteteve për vendosjen e migrantëve, sepse migrantët Maqedoninë e shfrytëzojnë si vend transit dhe jo si destinacion të tyre të fundit”, thotë Ilievska.

Por, organizatat humanitare që veprojnë në pikat kufitare Maqedoni-Greqi dhe Maqedoni-Serbi thonë se është shumë i kufizuar kapaciteti i qendrave pranuese për migrantët në Gjevgjeli dhe Tabanoc.

Kastriot Rexhepi thotë se autoritetet e vendit nuk u ofrojnë asnjë lloj ndihme refugjatëve, qoftë në ushqim ose veshmbathje. Ai si shqetësim e ngre dhe transportin për refugjatët, i cili është shumë i kushtueshëm, sepse, siç thotë ai, çmimi i biletave të trenit për refugjatët nga Gjevgjelia deri në Tabanoc akoma vazhdon të jetë 5 herë më i shtrenjtë nga sa kushton.

Po ashtu, problematikë mbeten disa kilometra, të cilat duhet kaluar në këmbë nga Qendra pranuese e migrantëve në Tabanoc deri në atë Miratocittë Serbisë, të cilën rrugë migrantët e kalojnë në këmbë, në temperatura shumë të ulëta të natës.

“Sa i përket dhënies së ndihmave në ushqim, veshmbathje, ndihmës mjekësore, punës së sociologëve të gjitha këto, bëhen nga organizatat e ndryshme joqeveritare. Qeveria, përkatësisht institucionet shtetërore si Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qendra për menaxhimin e krizës është përgjegjëse vetëm në pjesën që ka të bëjë me organizimin e kampeve dhe regjistrimin e refugjatëve”.

“Madje, u jemi drejtuar institucioneve përkatëse, pasi edhe vetë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale ka njoftuar për fondet, të cilat Bashkimi Evropian i ka aranzhuar Qeverisë maqedonase për menaxhimin e krizës së refugjatëve.Qe disa muaj që veprojmë në Gjevgjeli dhe Tabanoc, të gjitha ndihmat janë mbledhur nga qytetarët dhe donatorë privatë të vendit, që kanë grumbullua ndihma në ushqim dhe veshmbathje”, thekson Rexhepi nga Organizata Humanitare “NUN Kultura”, e cila vepron për disa muaj në Qendrat pranuese të migrantëve në Gjevgjeli dhe Tabanoc.

Ndryshe, për çdo ditë Maqedoninë e kalojnë si vend transit rreth 2000 migrantë nga zonat e përfshira në konflikt siIraku, Siria dhe Afganistani, por asnjë nga ta gjatë këtij viti nuk ka kërkuar azil për të qëndruar në Maqedoni.

XS
SM
MD
LG