Ndërlidhjet

logo-print

Procesi i zgjedhjeve presidenciale në SHBA

  • RFE /RL

Kandidatët Hillary Clinton (L) dhe Bernie Sanders nga radhët e demokratëve.

Kandidatët Hillary Clinton (L) dhe Bernie Sanders nga radhët e demokratëve.

Amerikanët nuk do të votojnë për president deri më 8 nëntor, por fushatat tashmë janë në pikë të sezonit, teksa kandidatët republikanë dhe ata demokratë luftojnë për nominimin e partive të tyre përkatëse që do ta sillte pasardhësin e presidentit Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë.

Obama, një demokrat i cili u zgjodh president në vitin 2008 dhe u rizgjodh në vitin 2012, sipas Kushtetutës amerikane, duhet të largohet pas dy mandateve si president.

Kjo do të thotë se dy partitë kryesore të vendit, republikanët dhe demokratët, secila do të zgjedhë një kandidat për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale.

Partitë e tjera të vogla, gjithashtu, do të kenë kandidatë, dhe një ose më shumë kandidatë të pavarur, mund t’i hyjnë garës gjithashtu.

Si i zgjedhin kandidatët e tyre demokratët dhe republikanët?

Që nga muaji shkurt e deri në muajin qershor, çdo shtet dhe territor do të votojë për kandidatët republikanë dhe demokratë, që konkurrojnë për të qenë të nominuarit e partive përkatëse.

Votat specifike partiake janë përshkruar shpesh si “paraprake”, edhe pse termi është paksa mashtrues. Shumica e shteteve votojnë paraprakisht, gjatë të cilave votime njerëzit përdorin fletëvotimet për ta votuar kandidatin e preferuar.

Por, disa shtete si Ajova (Iowa), organizojnë nominim të brendshëm partiak, që në thelb është një takim partiak për të debatuar dhe për të vendosur për një kandidat.

Në javët dhe ditët e para të votimeve, kandidatët së bashku me një ushtri vullnetarësh shkojnë në çdo shtet dhe takohen me sa më shumë votues që munden, si në mjediset formale ashtu edhe në ato joformale. Organizohen mitingje të mëdha në stadiume sportive, por edhe tubime intime në shtëpitë e njerëzve.

Kandidatët ndalen edhe në restorantet lokale dhe ua zgjasin dorën konsumatorëve, bëjnë fotografi e madje shkojnë edhe derë më derë për të kërkuar mbështetje.

Është një proces rraskapitës. Nga një arenë me më shumë se 30 kandidatë të mundshëm gjatë vitit të kaluar, 11 të tillë kanë mbetur në garën e republikanëve.

Nga radhët e demokratëve kanë mbetur vetëm tre nga gjashtë kandidatë të mundshëm sa ishin vitin e kaluar.

Rezultatet e votave të secilit shtet e përcaktojnë se sa shumë delegatë të shtetit do ta mbështesin një kandidat të caktuar në konventat e nominimit të partive politike, të planifikuara për t’u mbajtur në korrik.

Në nivel mbarëkombëtar, 2 mijë e 472 delegatë republikanë janë në dispozicion. Një kandidat duhet ta fitojë shumicën (në këtë rast 1 mijë e 237) për ta siguruar nominimin nga partia. Një kandidati demokrat, për të fituar i duhet mbështetja e 2 mijë e 383 delegatëve nga gjithsej 4 mijë e 764 delegatë sa pritet të marrin pjesë në Kuvendin e demokratëve.

Procesi shtet-më-shtet i nominimeve për të dy partitë nis më 1 shkurt në Ajova, ku republikanët dhe demokratët do të mbajnë takime të ndara partiake në rreth 1 mijë e 700 zona, për të përcaktuar se kush do të jetë kandidati i tyre potencial për president.

Takimet në Ajova do të pasohen nga zgjedhjet preliminare në Nju Hempshire (9 shkurt ) dhe në Karolinën Jugore (20 shkurt), si dhe nga takimet partiake në Nevada (23 shkurt).

Më pas, më 1 mars, mbahet ngjarja e vitit zgjedhor e quajtur si Super e Marta, kur disa shtete njëkohësisht mbajnë garat nominuese.

Këtë vit, 14 shtete dhe një territor i SHBA-së do të numërojnë votat atë ditë. Nëse një kandidat fiton shtetet bindshëm, mund të ndërtohet një avantazh i gjerë i mjaftueshëm sa që kandidatët tjerë të eliminohen. Të gjitha shtetet do të kenë mbajtur zgjedhjet e brendshme partiake dhe ato preliminare deri në mes të qershorit.

Pas garës së fundit në shtete, bëhet nominimi nga partia?

Zakonisht, por jo gjithmonë. Sikurse demokratët, ashtu edhe republikanët mbajnë konventat e tyre presidenciale në fund të verës.

Partia republikane do të takohet më 18 korrik në Cleveland, ndërsa demokratët do të mblidhen më 25 korrik në Filadelfia. Gjatë konventave, secila parti zgjedh kandidatin e saj për Shtëpinë e Bardhë.

Shpesh, i nominuari shfaqet në kohën kur partia e mban konventën. Por, konventat mund të sjellin befasi nëse palët nuk janë të bashkuara prapa një kandidati. Kjo mund të çojë në atë që quhet konventë e ndërmjetësuar, kur besnikëria e delegatëve këmbehet për koncesione politike.

Përfundimisht, një person del në nominim, por beteja mund të jetë e rëndë, si për partinë, ashtu edhe për kandidatin.

Sezoni i fushatës - tensioni i fundit

Pasi secila parti e ka nominuar zyrtarisht kandidatin e saj, mbesin edhe rreth tre muaj para ditës së zgjedhjeve. Gjatë kësaj periudhe, kandidatët lëvizin nga vendi në vend që t’i takojnë votuesit dhe të mbajnë fjalime me shpresë që pasi kanë marrë mbështetje nga partia, mund të marrin mbështetje edhe nga votuesit jashtë partisë.

Reklamat politike mbizotërojnë në radio dhe televizion.

Janë mbajtur shumë debate televizive, gjatë së cilave kandidatët, kryesisht demokratë dhe republikanë, por ndonjëherë edhe kandidatë të jashtëm, përballen me njëri-tjetrin dhe iu përgjigjen pyetjeve të moderatorit.

Përfundimisht, të martën që vjen pas të hënës së parë të nëntorit, amerikanët votojnë për president.

Tashmë kemi një fitues?

Jo kaq shpejt. Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk zgjidhet nga vota e popullit, por nga votat e të ashtuquajturit Kolegj Zgjedhor.

Kolegji Zgjedhor është i përbërë nga 538 zgjedhës, që kanë të drejtë të votojnë. Një kandidati presidencial i duhen së paku 270 vota të tyre për ta fituar Shtëpinë e Bardhë.

Secili shtet e ka një numër të caktuar të zgjedhësve. Është i ngjashëm sikurse numri i anëtarëve të çdo shteti që zgjidhen në Kongres. Ky numër bazohet në numrin e popullsisë.

Kaliforninë e dendur nga popullsia e përfaqësojnë 55 ligjvënës në kongres. Kësisoj Kalifornia i ka gjithashtu 55 zgjedhës presidencialë.

Vendi me pak popullsi, Alaska, i ka vetëm tre ligjvënës në Kongres dhe po ashtu tre zgjedhës presidencial.

Dyzetetetë nga pesëdhjetë shtetet e Shteteve të Bashkuara përdorin metodën “fituesi i merr të gjitha”, për dhënien e votës.

Kjo do të thotë se nëse një kandidat fiton më shumë se 50 për qind të votës popullore, të gjitha votat e zgjedhësve të atij shteti shkojnë për atë kandidat.

Cilido kandidat që e fiton shumicën e votave të popullit në Kaliforni, do të votohet nga 55 zgjedhësit e Kalifornisë që janë në Kolegjin Zgjedhor.

Vetëm Maine dhe Nevraska përdorin metodë tjetër. Ata votojnë bazuar në votat që ka marrë secili kandidat nga populli.

Por, Kolegji Zgjedhor është kontrovers, për shkak se mund ta zgjedhë një kandidat që nuk e ka marrë votën e popullit. Kjo ishte ajo që ndodhi në vitin 2000 kur kandidati demokrat Albert Gore i fitoi shumicën e votave individuale, por jo shumicën e votave të Kolegjit Zgjedhor.

George W. Bush ishte shpallur fitues me 271 vota të zgjedhësve derisa Gore kishte 266 vota.

Më 20 janar 2017, Barack Obama do ta dorëzojë zyrtarisht detyrën dhe dikush tjetër do ta japë betimin për një mandat katërvjeçar si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG