Ndërlidhjet

Motra e viktimës së abuzuar e të zhdukur, lufton për drejtësi në Rusi

  • RFE /RL

Marem Alieva

Marem Alieva

Autorë: Maryana Torocheshnikova dhe Robert Coalson

Yelizaveta Aliyeva ende shpreson për më të mirën. Por, ajo ka frikë nga më e keqja tash e katër muaj, që kur motra e saj, Marem, është zhdukur nga shtëpia në Kaukazin Verior të Rusisë.

Ajo nuk dëshiron të besojë se bashkëshorti i Marem, Mukharbek Yevloyev, e ka vrarë atë për ta parandaluar atë që të ikte nga një martesë që nuk i kishte sjellë asaj asgjë, pos dhimbjes dhe poshtërimit. Por, provat duket se janë shtuar.

Yevloyev është arrestuar më 21 janar dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak për dy muaj. Seanca për caktimin e masës është mbajtur një ditë pas arrestimit dhe atë me dyer të mbyllura.

Nuk dihet se për çfarë vepre penale është arrestuar dhe mbi çfarë dyshimesh po hetohet

Shtrembërimi dhe zgjatja e madhe e rastit të Marem Aliyeva në Ingusheti, tregon për Nyjen Gordiane të problemit të brendshëm, dhunës në Rusi: mungesa e ligjeve, mungesa e vullnetit të Policisë dhe Prokurorisë, korrupsioni i papërmbajtur dhe shpërdorimi i detyrës dhe kultura konservative që shpesh fsheh seksizmin e përhapur.

Marem Alieva

Marem Alieva

“Ky rast mund të ndodhë në Tambov, Vladivostok, Volgograd apo Moskë”, thotë avokati Mari Davtyan nga qendra "ANNA", e cila ndihmon viktimat e dhunës në familje.​

“Për më tepër këto tregime përsëriten rregullisht. Sigurisht, ka rajone ku traditat dhe zakonet janë shumë të zbatueshme dhe te raste e të afërmve,gjithmonë është problem të nisen hetime. Po, ne kemi lidhje klanore, shoqërore e familjare. Por, në thelb e njëjta gjë po ndodh në tërë Rusinë”, shton ai.

Në kohën kur 37-vjeçarja Marem është zhdukur, avokati Davtyan po punonte për ta vendosur atë në një strehimore ku janë të vendosura viktimat e abuzimit në Rusi. Marem ishte ankuar se ka përjetuar dhunë dhe abuzim në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit.

Rrëmbim nga persona të armatosur

Cikli i dhunës që i ka paraprirë zhdukjes së 37- vjeçares Marem, ishte në verë, kur ajo kishte ikur nga shtëpia e saj. Ajo kishte paraqitur ankesë duke thënë se burri e kishte torturuar, e kishte goditur në kokë, ia kishte vendosur kokën në qese plastike dhe e kishte rrahur atë.

Në muajin korrik, një grup personash të armatosur e kishin marrë Yelizaveta Aliyevën në veturë. Atë e kishin kërcënuar dhe e kishin rrahur duke kërkuar të dinë se ku ishte fshehur motra e saj.

Përfundimisht, burri i Marem, e kishte vendosur atë në një kasolle. Me një grup personash të armatosur, ai kishte shkuar në shtëpinë e saj dhe më forcë e kishte marrë atë. Më 19 shtator, Marem e kishte telefonuar motrën e saj.

“Ajo me lot në sy ka thënë se ai (Mukharbek Yevloyev) ishte pranë saj, që e kishte kërcënuar atë dhe i kishte thënë asaj që të thoshte se ndjen keqardhje që kishte ikur prej tij”, thotë Olga Gnezdilova, një tjetër avokate që në këtë kohë po i ndihmon Yelizaveta Aliyevas.

Para dhe pas zhdukjes së Marem, Yelizaveta kishte bërë përpjekje që të niste një hetim nën akuza penale, por ajo ishte ballafaquar me pengesë pas pengese.

“Të gjitha ankesat që Marem dhe motra e saj i dërguan tek autoritetet, mbetën pa përgjigje.Ne nuk kemi asnjë përgjigje nëse ankesat janë regjistruar. Nuk kemi asnjë të dhënë se çfarë është bërë me to dhe me ne nuk ka folur. Ata do të duhej të vinin dhe të bisedonin me njerëzit për të parë se çfarë po ndodhte në atë familje. Por, deri në zhdukjen e saj, nuk ka pasur biseda të tilla. Nuk kishte asgjë”, thotë Gnezdilova.

Yelizaveta Aliyeva, nga shtëpia e saj në Ingusheti, i ka thënë nëpërmjet telefonit Radios Evropa e Lirë, se e kishte thirrur policinë në kohën kur e motra e saj ishte zhdukur, por “ata refuzuan që unë të jap deklaratë”.

“Ata thanë: Ti je një e afërme e saj. Ne nuk mund ta marrim deklaratën tuaj, ngase ai nuk ka kryer ndonjë krim...”, tregon ajo.

Rusia nuk ka një ligj të veçantë për dhunën në familje, ndonëse një draft-ligj është dorëzuar në Dumën ruse, Dhomën e ulët të Parlamentit, dhe atë më shumë se 40 herë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Ministria e Brendshme ruse e ka një regjistër të personave për të cilët në mënyrë të vazhdueshme është raportuar se i kanë rrahur gratë apo fëmijët e tyre.

Që nga viti 2014, zyrtarët thonë se në këtë listë kanë qenë të renditur 153 mijë emra. Por, ishte e pamundur të shfletohet tërë ajo listë. Edhe viktimat e kanë të vështirë ta gjejnë nëse abuzuesit e tyre janë në atë listë.

Në këtë listë nuk dihet nëse figuron emri i Mukharbek Yevloyevit.

“Jam e frikësuar”

U deshën më shumë se tre muaj për t'u nisur hetimet për rrëmbimin e Yelizaveta Aliyevës në muajin korrik.

Në këtë pikë, kërcënimet nga Yevloyev, ishin rritur. Ndonjëherë ai është parë pranë shtëpisë së të afërmve të Yelizavetës, e ndonjëherë i kishte dërguar të afërmit e tij.

“Ai është sadist”, thotë Yelizaveta dhe shton:

“Ai e konsideron veten si një bos të mafies dhe mendon se mund të bëjë çdo gjë. Ai thotë për veten e tij: Kam blerë gjithçka dhe të gjithë. Nuk ka njeri që del kundër meje. Kjo është arsyeja pse ne ishim të frikësuara dhe pse unë ende jam e frikësuar”.

Yelizaveta thekson se është një i afërm i Mukharbek Yevloyev që i ka kryer studimet në akademinë policore.

“Ai i ka të afërmit e pozicionuar kudo. Ai i ka dyqanet e tij, pompat e gazit, hotelet. Ai ka shumë para. Si mund të shkojë dikush kundër tij”, thotë ajo.

Yelizaveta është nën mbrojtjen e policisë së shtetit që nga 1 janari dhe kjo nuk i ka ofruar aspak rehati.

“Unë jam në shtëpi tashmë, nën mbrojtjen e shtetit. Por, nuk ndjej se kam mbështetje. Qëndroj këtu sikurse në burg. Ata nuk më lejojnë që të dal nga shtëpia, sikur po mbahem këtu me forcë”, tregon Yelizaveta.

Ndonëse ajo është e mbrojtur, dy fëmijët e saj nuk janë, pavarësisht kërcënimeve që janë bërë edhe ndaj tyre.

Si rezultat i kësaj, ata nuk kanë shkuar në shkollë tash e sa javë.

Përveç kësaj, ajo thotë se ka kërkuar që disa nga rojat e shtëpisë së saj të ndërrohen, duke thënë se disa janë të afërm të kunatit të saj dhe disa të tjerë po konsumonin marihuanë dhe po deheshin aty.

Përpara se të arrestohej më 21 janar, Yevloyev lëvizte lirshëm në rajon ndonëse zyrtarisht për të ekzistonte urdhër-arrest.

Yelizaveta thotë se në rrugën e saj e ka parë makinën e tij më shumë se një herë.

Presion në rritje

Së paku 10 mijë gra vdesin çdo vit në Rusi si rezultat i dhunës në familje. Mari Davtyan nga qendra "ANNA" thotë se vetëm një në dhjetë gra në Rusi bën ankesë apo kërkon ndihmë.

Sipas një studimi në nivel shtetëror, të kryer në vitin 2013, një në pesë femra ruse ka përjetuar dhunë nga duart e partnerit mashkull.

Paraburgimi i Yevloyevit është larg nga fundi i tregimit.

Vitaly Zubenko, një avokat nga Stavropoli që është duke i ndihmuar Yelizavetas, thotë se është e paqartë se çfarë do të bëjnë autoritetet.

“Kur ne po flasim për një person me lidhje të rëndësishme, atëherë përpara se të niset një hetim apo përfunduar ai, apo qoftë për të ndërmarrë çfarëdo lloj hetimi, ata së pari bien dakord mes vete për të gjetur se çfarë lloj mbështetje mund të ketë i dyshuari”.

“Dhe në Kaukazin Verior, ka shumë lidhje mes klaneve dhe të afërmve. Nëse një i dyshuar i ka të afërmit në vendet e duhura, ai nuk do të përballet me akuza”, thotë Zubenko.

Presioni kundër Yelizavetas ka gjasë të vazhdojë. Avokatja Olga Gnezdilova, thotë se e tëra varet nga forca dhe vendosmëria e Yelizavetas.

Si një avokate, është vështirë për mua ta kuptoj, por të gjithë të afërmit e saj, të cilët janë vizituar nga burri i motrës së saj, vijnë tek unë dhe thonë: Tërhiqe akuzën për vrasje”.

“Edhe nëse ajo e bën një veprim të tillë, është e paqartë se çfarë do të bëjnë autoritetet, ngase në fund të fundit një grua është zhdukur në rrethana të ndërlikuara. Por, ata janë duke thënë që ankesa e parashtruar nga ajo (Yelizaveta Aliyeva), është e vetmja pengesë për mbylljen e rastit dhe përfundimin e hetimit”, thotë Gnezdilova.

Avokatja përfundon duke thënë se “çelësi është në dorën e Yelizavetas”.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG