Ndërlidhjet

Mjetet shpërthyese jolegale, kërcënim serioz


Ilustrim

Ilustrim

Posedimi, bartja dhe trafikimi i armëve dhe municioneve jolegale në Kosovë mbetet një problem serioz dhe sfidues për organet e rendit dhe ligjit, pavarësisht faktit që posedimi i armëve jolegale gjatë vitit 2015, në krahasim me vitet paraprake, ka shënuar rënie.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se në vitin 2015 janë konfiskuar 1 mijë e 180 armë dhe 24 mijë e 119 municione.

Megjithatë, rreziku nga armët jolegale, sipas zyrtarëve të policisë dhe ekspertëve të çështjeve të sigurisë, mbetet ende mjaft shqetësues, sidomos kur bëhet fjalë për mjetet shpërthyese, si armë të rrezikshme për shkatërrim më të gjerë.

Gjatë muajit janar, organet e rendit në Kosovë kanë kryer disa aksione për gjetjen dhe konfiskimin e armëve jolegale dhe municioneve, si dhe vënien para drejtësisë të poseduesve jolegal të tyre, si dhe të trafikuesve. Vetëm gjatë fundjavës së kaluar, në dy raste janë gjetur mjete shpërthyese.

Daut Hoxha, zëdhënësi i Policisë së Kosovës , duke folur për Radion Evropa e Lirë thotë se me 29 janar, në të ashtuquajturën ‘Lagjja e Xhamisë’ në Drenas, është gjetur një mjet shpërthyes rreth 2. 2 kilogram, i dyshuar si TNT, por pa mjet iniciues për eksplodim, i cili më pas është konfiskuar nga policia.

Sipas tij, me 31 janar, në Fushë Kosovë, po ashtu, pas një aksioni policor, në dy lokacione janë arrestuar tre persona për posedim të mjeteve eksplozive, si dhe armëve të zjarrit. Me këtë rast janë konfiskuar: lëndë shpërthyese TNT, me peshë prej 12 mijë e 400 gram, dy pushkë të gjata, të tipit ‘mitraloz’ dhe një pushke M 48.

Hoxha, sqaron se ka pasur edhe raste të tjera të konfiskimit të armëve të zjarrit në posedim jolegal.

“Sa i përket rasteve me eksploziv, ne i kemi potencuar dhe janë bërë publike edhe dy rastet e fundit (Drenas dhe Fushë Kosovë). Por, ne i kemi bërë publike edhe rastet e tjera, siç ka ndodhur, për shembull, armë-mbajta pa leje. Në Pejë kemi pasur një rast, me datën 30 janar. Një e kemi pasur në Deçan, ku Policia e Kosovës ka arrestuar 4 të dyshuar meshkuj shqiptarë. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, ka shpjeguar Hoxha.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku thotë për Radion Evropa e Lirë se posedimi apo trafikimi i armëve jolegale paraqet rrezik potencial për sigurinë në përgjithësi.

“Vet fakti i posedimit të këtyre armëve, posaçërisht eksplozivit, në duart e personave të paautorizuar dhe ne mënyrë jolegale, paraqet rrezik për sigurinë e vendit, sepse ato mund edhe të përdoren për shkatërrime në masë. Janë shenjë e shkallës së pasigurisë në Kosovë”, thotë Maloku.

Ai ka shtuar se, duke pasur parasysh momentin kur bota po përballet me rrezikun i ekstremizmit dhe terrorizmit, përfshirë edhe Kosovën, posedimi jolegal, veçanërisht i mjeteve shpërthyese, e bën ambientin edhe më të pasigurt.

“Mund të themi se armët e vogla mund të përdoren ose blihen për sigurinë personale. Për armët e gjata mund të ndodhë që merren leje; ta zëmë për gjah. Por, mbajtja e eksplozivit nuk e ka motivin e sigurisë personale të askujt. Motivet aty, janë që edhe t’i përdorin ato mjete”.

“Eksplozivi nuk përdoret më në miniera, apo të rrënohet ndonjë objekt që i pengon dikujt që do ta pastrojë terrenin. Ato mjete mbahen në posedim për të cenuar sigurinë. Nuk shoh motive tjera”, thotë Maloku.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha thekson se autoritetet e rendit dhe sigurisë janë duke i bërë të gjitha përpjekjet për t’i hetuar dhe parandaluar rastet eventuale, të cilat mund ta cenojnë sigurinë në vend.

“Mund të theksojmë që ne jemi duke punuar intensivisht që t’i parandalojmë rastet e tilla. Falë bashkëpunimit me qytetarë dhe me aktorët tjerë të sigurisë, jemi në proces të kryerjes së punëve intensive, për të mos lejuar cenimin e sigurisë së përgjithshme në vend”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar se në mjaft raste Policia e Kosovës ka ndaluar, arrestuar dhe ngritur procedurat ligjore ndaj personave që kanë tentuar të trafikojnë armët përmes kufijve të Kosovës me vendet fqinje.

Ndërkaq Maloku vlerëson se prejardhja e shumicës së armëve të zjarrit, e sidomos mjeteve shpërthyese, është nga vendet fqinje; nga Serbis dhe Shqipëria.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG