Ndërlidhjet

Shkatërrohet radiostacioni i IS-it në Afganistan


Banorët e Afganistanit duke e dëgjuar radion Zëri i Kalifatit në dhjetor të vitit të kaluar
Banorët e Afganistanit duke e dëgjuar radion Zëri i Kalifatit në dhjetor të vitit të kaluar

Sulmet ajrore amerikane e kanë shkatërruar një radiostacion islamist që po operonte në lindje të Afganistanit.

Zyrtarët amerikanë dhe ata afganë, kanë njoftuar sot se radio Zëri i Kalifatit, që gjendej pranë kufirit me Pakistanin, është shkatërruar si rezultat i dy sulmeve ajrore.

Attaullah Khogyani, zëdhënës i guvernatorit të provincës Nangarhar, i ka thënë shërbimit afgan të Radios Evropa e Lirë, se njëzetenëntë pjesëtarë të Shtetit Islamik janë vrarë gjatë sulmeve.

Ai ka shtuar se pesë operatorë teknik të radios dhe tre të tjerë që po punonin për faqen e internetit të radios, gjithashtu janë vrarë gjatë sulmeve.

Zëdhënësi i policisë provinciale, Hazrat Husain Mashriqiwal, tha se një gjykatë e krijuar nga grupi militant, është shkatërruar gjithashtu.

Koloneli i ushtrisë amerikane, Mike Lawhorn, i cili është zëdhënës i misionit amerikan dhe atij të NATO-s në Afganistan, ka thënë përmes një deklarate se forcat amerikane kanë kryer sulme ajrore kundër terrorizmit në rajonin Achin, në mbrëmjen e 1 shkurtit.

Grupi IS gjendet i pranishëm përgjatë kufirit në mes të Afganistanit dhe Pakistanit.

Radio Zëri i Kalifatit, ka nisur transmetimin në fund të muajit dhjetor ndërsa gjatë disa javëve të fundit, ka transmetuar mesazhe të Shtetit Islamik në gjithë rajonin Nangarhar.

Radiostacioni, sipas zyrtarëve afganë, është përdorur edhe për qëllime të rekrutimit.

Për disa javë me radhë, autoritetet afgane kanë bërë përpjekje që ta gjejnë lokacionin e këtij radiostacioni dhe ta ndalojnë atë.

XS
SM
MD
LG