Ndërlidhjet

Shkatërrohet radio-stacioni i IS-it në Afganistan


Burra afganë duke dëgjuar radio-stacionin e të ashtuquajturit Shtet Islamik. (Foto arkivi)
Burra afganë duke dëgjuar radio-stacionin e të ashtuquajturit Shtet Islamik. (Foto arkivi)

Zyrtarë afganë dhe të Shteteve të Bashkuara kanë bërë të ditur se sulmet ajrore kanë shkatërruar Zërin e Kalifatit, një radio-stacion i grupit militant Shteti Islamik, i cili ka transmetuar mesazhe ekstremiste në lindje të Afganistanit që nga viti i kaluar.

Attaullah Khogyani, zëdhënës i guvernatorit të provincës Nangarhar, i ka thënë Radios Afganistani i Lirë se radio Zëri i Kalifatit është shkatërruar pranë kufirit me Pakistanin, mbrëmjen e 1 shkurtit.

Banorët lokalë po ashtu kanë konfirmuar se stacioni ka ndaluar transmetimet.

Një zyrtar i paidentifikuar i ushtrisë amerikane është cituar të ketë thënë se radio-stacioni është shkatërruar nga dy sulme ajrore të Shteteve të Bashkuara.

Po ashtu, koloneli i ushtrisë amerikane, Mike Lawhorn, zëdhënës i misionit të SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan, ka thënë përmes një deklarate se forcat amerikane kanë kryer dy sulme ajrore antiterroriste në qarkun Açin.

Megjithatë, zëdhënësi i provincës Nangarhar, Khogyani, ka thënë se katër sulme kanë goditur tre caqe të Shtetit Islamik, duke vrarë 29 anëtarë të grupit ekstremist, përfshirë pesë punonjës të radios dhe tre njerëz që kanë qenë duke punuar në ueb-faqen e stacionit.

Zëdhënësi i policisë provinciale, Hazrat Husain Mashriqwal, ka thënë se edhe një e ashtuquajtur gjykatë e Shtetit Islamik është shkatërruar në sulme.

Shteti Islamik është shfaqur në Afganistan gjatë vitit të kaluar, pasi ka marrë nën kontroll territore të mëdha në Siri dhe Irak në vitin 2014.

Ai ka prani ushtarake në disa qarqe përgjatë kufirit të paqëndrueshëm të Afganistanit me Pakistanin.

Zëri i Kalifatit është themeluar në fund të vitit 2015 dhe, në mënyrë të paligjshme, ka transmetuar propagandë ekstremiste nëpër rajonin e Nangarharit.

Radio-stacioni, me transmetimet në gjuhën Pashto, është përdorur edhe për qëllime të rekrutimit, si dhe për të kërcënuar gazetarët.

Radioja mbetet medium i fuqishëm në Afganistan, ku shumica e njerëzve nuk kanë qasje në televizion dhe në internet. (v.tela)

XS
SM
MD
LG