Ndërlidhjet

Cruz para Trumpit, Clinton dhe Sanders në garë të ngushtë


Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara e kaluan etapën e parë të garës zgjedhore partiake në Ajova, ndërsa tash janë të përqendruar në etapën e dytë që mbahet në Nju Hempshër.

Por, gara e parë në Ajova ishte tejet dramatike, për shkak të traditës se ajo mund të jetë sinjal për fitore jo vetëm partiake, por edhe në vetë zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara.

Ndër republikanët në Ajova, kandidati Ted Cruz, mori më së shumti mbështetje me 28%, para Donald Trumpit, i cili ka 24%, Marco Rubio ka 23%.

Praktikisht, këto përqindje u mundësojnë kandidatëve që ta kenë numrin adekuat të delegatëve: Cruz 8, Trump 7 dhe Rubio 6.

Ndër demokratët, kandidatja Hillary Clinton ka 49.9% të votave, që sjell 22 delegatë, ndërsa Bernie Sanders me 49.5% ka 21 delegatë.

Rezultatet në zgjedhjet partiake në Ajova nga udhëheqës të Partisë Demokratike në këtë shtet, janë përshkruar si “rezultatet më të ngushta në demokratike në Ajova në histori”.

Kandidati republikan, Ted Cruz, që është senator nga Teksasi, pasi është shpallur fitues në zgjedhjet partiake në Ajova, është shprehur se presidenti i ardhshëm amerikan nuk do të “zgjedhet nga media në Uashington”.

“Ajova ka dërguar vërejtje se i nominuari republikan dhe presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara nuk do të zgjedhen nga media; nuk do të zgjedhen nga establishmenti në Uashington; nuk do të zgjedhen nga lobistët, por do të zgjedhen nga forca e jashtëzakonshme dhe e fuqishme, ku i gjithë sovraniteti qëndron në kombin tonë: nga populli amerikan”, tha Ted Cruz, pas shpalljes se ka fituar në Ajova, në mesin e kandidatëve republikanë.

Ai me ironi ka folur për kadidatët demokratë në garën presidenciale.

“Demokratët këtu duket se janë në garë të ngushtë ndërmjet një kandidati, që pranon se është socialist dhe kandidates tjetër, e cila pretendon se nuk është. Të dyve ju uroj fat. Por, ju them ashtu siç ka thënë ish-kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, problemi me socializmin është se eventualisht ju mbeteni pa paratë e njerëzve të tjerë”, tha Ted Cruz.

Fitorja e tij është goditje e madhe ndaj miliarderit, Donald Trumpit, i cili para votimit ka udhëhequr në hulumtimet e opinionit. Ai në një mëpnyrë e ka neutralizuar disfatën duke thënë se ishte i “nderuar” që është plasuar në vendin e dytë.

Shtabi i kandidates Hillary Clinton, ka pretenduar se ka fituar në garën zgjedhore partiake në shtetin Ajova.

“Nga aspekti statistikor, nuk ka asnjë informacion të jashtëzakonshëm që mund ta ndryshoj rezultatin dhe nuk ka gjasë që senatori Sanders mund t’ia kaloj avantazhit të sekretares Clinton”, thuhet në kumtesën e shtabit të zonjës Clinton.

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, duke folur para mbështetësve në qytetin Dë Moin, së pari ka folur për rivalen e tij, Hillary Clinton.

“Dëshiroj ta shfryzëtoj rastin që t’i uroj sekretares Clinton dhe organizatës së saj për udhëheqjen e fushatës shumë të fuqishme”.

“Mendoj se populli i Ajovës ka dërguar mesazh të jashtëzakonshëm për establishmentin politik, tek ai ekonomik dhe, po ashtu, tek i mediave. Por, duke pasur parasysh krizën e madhe me të cilën ballafaqohet vendi ynë, është shumë vonë për politika dhe ekonomi establishmentesh”, tha Bernie Sanders.

Gara e ardhshme për nominim partiak në kuadër të zgjedhjeve presidenciale amerikane mbahet në Nju Hempshër, më 9 shkurt.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG