Ndërlidhjet

logo-print

Hezitimi i BE-së, mundësi për grupet radikale dhe politikën ruse


Ilustrim

Ilustrim

Hezitimi i Bashkimit Evropian që të trajtojë Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor njësoj me vendet tjera që kaluan procesin e integrimit evropian, paraqet rrezik për shtrirjen e ndikimit të organizatave ekstremiste e terroriste apo edhe rritjen e ndikimit të Rusisë në rajon.

Kështu është thënë në ditën e parë të konferencës ndërkombëtare, të titulluar “Gërmia Hill”, që po mbahet në Prishtinë, ku si objekt diskutimi është siguria në Evropën Juglindore.

Në hapje të takimit, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Kosova është e interesuar të jetë faktor stabiliteti në Evropë dhe rajon.

Ai është ndalur te dukuritë që konsiderohen sot si kërcënuese të sigurisë në Evropë e botë, siç janë migrimet (refugjatët), ekstremizmi dhe terrorizmi, si dhe implikimi i politikës së Rusisë në rajon e më gjerë.

Te çështja e migrimit, Mustafa ka thënë se kjo dukuri mund t’i rrezikojë vlerat evropiane, por i ka hedhur poshtë të gjitha krahasimet që i bëhen Kosovës me flukset e refugjatëve që vijnë në Evropë nga Siria dhe Lindja e Mesme.

“Ne kemi punuar shumë që numri i azilkërkuesve tonë të bie dramatikisht. Edhe krerët e Bashkimit Evropian kanë vlerësuar se puna jonë është bërë me përgjegjësinë më të madhe dhe është vlerësuar lart, sepse kemi arritur sukses që nga 13 mijë azilkërkues nga Kosova, që kanë kërkuar azil përmes Hungarisë në shkurt të vitit të kaluar, numri në dhjetor të vitit që shkoi të bie në 5 persona. Ky rezultat është arritur duke thyer rrjetet e trafikantëve”, ka thënë Mustafa.

Brengosëse për Kosovën, ka nënvizuar Mustafa, mbetet mungesa e lirisë së lëvizjes për qytetarët e saj, të cilët ende duhet të sigurojnë viza për udhëtim nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

Tutje, Mustafa është zotuar se Kosova do të mbetet vend lider në rajon për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit. Sipas tij, kjo dukuri po luftohet dhe nuk do të ketë tolerancë as në të ardhmen.

“Sipas shërbimeve tona, numri i kosovarëve në konfliktet në Siri dhe Irak ka rënë nga rreth 300, sa do të kenë qarkulluar andej e këndej gjatë viteve të fundit, në më pak se 70 veta, që mund të gjenden tani atje. Janë arrestuar shumë avokues të ISIS-it, janë thyer rrjetet e rekrutimit, janë mbyllur shumë OJQ që e kanë keqpërdorur Kosovën për objektiva radikalë dhe janë marrë masa ligjore ndaj fondeve që dyshohet se janë përdorur për këto aktivitete”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

Sa i përket ndikimit dhe implikimit të Rusisë në rajon, Mustafa ka thënë se sado që Ballkani ndodhet në një largësi gjeografike, roli dhe ndikimi rus është i shprehur, sidomos në fqinjësi të Kosovës.

Kosova, sipas Mustafës, është një front evropian, i cili zhvillohet këtu në Prishtinë, dhe nuk mbron vetëm Prishtinën.

“Nga këtu mbrohet edhe Parisi, edhe Londra, edhe Berlini, sepse ne përjetojmë, ndjejmë, kultivojmë dhe mbrojmë vlerat euroatlantike”, ka theksuar ndër tjera Mustafa.

Ndërkaq, Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes në Qeverinë e Shqipërisë, ka potencuar në veçanti rolin që mund të ketë integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO për sigurinë në gjithë rajonin.

Përcaktimi pro-evropian dhe pro-perëndimor i Kosovës dhe rajonit mund të shihen si pengesa për Moskën apo edhe grupet radikale, ka thënë ajo.

“Ballkani Perëndimor sot ka një tendencë, influencë dhe të ardhme totalisht perëndimore. Por, kjo dëshirë për të qenë pjesë e perëndimit dhe jo e lindjes nuk i rrin mirë një kryeqyteti si Moska, që ka dashuri të vjetra të lidhura me këtë rajon. E, aq më pak i vjen mirë një shteti të quajtur islamik, i cili po tregon çdo ditë e më tepër radikalizmin përmes barbarisë, që ne shikojmë çdo ditë”, ka thënë Kodheli.

Gjatë hapjes së diskutimeve, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka thënë se sfidat e reja të sigurisë janë të përbashkëta për të gjitha vendet e rajonit.

Problemet e sigurisë mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit dhe mekanizmave të përbashkët të sigurisë ndërkombëtare, ka thënë ai.

Kurse, ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka tërhequr vërejtjen se hezitimi i Brukselit që ta trajtojë dhe pranojë Kosovën sikurse vendet tjera që kanë aspiruar apo aspirojnë integrimet evropiane, bart rrezikun e rritjes së influencës nga Rusia apo vendet e përfshira nga organizatat ekstremiste e terroriste.

Andaj, Thaçi ka kërkuar që Kosovës t’i hiqen vizat, të pranohet si shtet i barabartë dhe gradualisht të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e të gjitha strukturave tjera të sigurisë ndërkombëtare.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG