Ndërlidhjet

Cameron: Marrëveshja me BE-në përmbush reformat


Kryeministri britanik, David Cameron, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Kryeministri britanik, David Cameron, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka thënë se projekt-marrëveshja që synon të mbajë Mbretërinë e Bashkuar brenda Bashkimit Evropian, do të sjellë “ndryshimet thelbësore” që ai ka kërkuar.

Cameron ka thënë se kanë mbetur edhe disa detaje për t’u përpunuar përpara samitit të BE-së më 18 dhe 19 shkurt.

Marrëveshja, e publikuar nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, përfshin “ndërprerje urgjente” të përfitimeve për migrantët.

Mbështetësit e daljes së Britanisë nga BE-ja thonë se marrëveshja nuk u afrohet ndryshimeve që ka premtuar Cameron.

Londra, fillimisht, ka lobuar për një ndalesë katërvjeçare të pagesave për migrantët, të cilët kanë përfitime dhe ulje të taksave në Mbretërinë e Bashkuar, por kjo është pritur me rezistencë të ashpër nga Polonia dhe shtetet e tjera lindore të BE-së, të cilat kanë thënë se masa mund të diskriminojë qytetarët e tyre që punojnë në Britani.

Propozimet e tjera në marrëveshje kanë të bëjnë me një mekanizëm që do t’iu japë vendeve jo-anëtare të Eurozonës, të tilla si Mbretëria e Bashkuar, më shumë siguri se ato do të konsultohen për vendimet e Eurogrupit, por pa pasur të drejtën e vetos.

Aspektet e tjera të propozimeve të Tuskut përfshijnë edhe dhënien e më shumë pushteti për parlamentet kombëtare dhe një marrëveshje që Londra nuk duhet të angazhohet për integrimin e mëtejshëm politik brenda BE-së.

Anëtarët e BE-së do të debatojnë për propozimet në fjalë në samitin e këtij muaji.

Cameron shpreson për një përfundim të shpejtë të negociatave, në mënyrë që të mbajë referendumin për anëtarësinë e Britanisë në BE në muajin qershor.

XS
SM
MD
LG