Ndërlidhjet

IS është zmbrapsur në Siri e Irak, por kërcënon Libinë


Romë, 2 shkurt 2016.
Romë, 2 shkurt 2016.

Koalicioni ndërkombëtar po zmbraps militantët e Shtetit Islamik (IS) nga fortesat e tyre në Siri dhe Irak, por grupi ekstremist kërcënon Libinë dhe mund të konfiskojë pasurinë e naftës në këtë vend, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Zyrtarë nga 23 vende janë takuar të martën në Romë për të rishikuar luftën kundër Shtetit Islamik, i cili ka vetëshpallur kalifat nëpër territore të Sirisë dhe Irakut dhe është duke u përhapur në shtete të tjera, sidomos Libi.

“Ai vend (Libia) ka burime. Gjëja e fundit në botë që dëshironi është një kalifat i rremë me qasje në miliarda dollarë nga të ardhurat e naftës”, ka thënë Kerry.

Shtetet e Bashkuara janë duke udhëhequr dy koalicione të ndryshme, që kryejnë sulme ajrore kundër caqeve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, por grupi xhihadist ka mbetur kryesisht i paprekur në Libi.

Në bazë të një plani të mbështetur nga Kombet e Bashkuara për tranzicion politik, dy administratat ndërluftuese në Libi pritet të formojnë një qeveri të unitetit.

Kerry ka thënë se dy palët “janë në prag të krijimit të qeverisë së unitetit kombëtar”.

Ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni, ka thënë se me formimin e kësaj qeverie, shumë vende do të jenë të gatshme t’i përgjigjen çfarëdo kërkese për ndihmë për sigurinë.

XS
SM
MD
LG