Ndërlidhjet

Rezoluta e Parlamentit Evropian për Kosovën


Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Bruksel
Ndërtesa e Parlamentit Evropian në Bruksel

Ulrike Lunacek, raportuese e këtij Parlamenti për Kosovën, ka thënë pas votimit se PE-ja i ka dhënë një mesazh të fuqishëm Kosovës në perspektivën e saj evropiane, i cili pason ratifikimin që iu bë muajin e kaluar Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit, të arritur ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

“Vazhdimësia e kësaj dinamike në këtë drejtim është jetësore për shtetin e pavarur të Kosovës që të ketë përparime të mëtejme, përmes reformave në sundimin e ligjit dhe në rrafshin ekonomik”, citohet të ketë thënë Lunacek në një komunikatë të publikuar nga Parlamenti Evropian.

Në të thuhet gjithashtu se ligjvënësit e PE-së kërkojnë që Kosova ta zgjidhë krizën vendore politike, duke iu kthyer dialogut konstruktiv dhe në mënyrë jo të dhunshme.

“Ligjvënësit e PE-së i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian të kompletojë njohjen zyrtare të Kosovës dhe kanë ftuar pesë vendet anëtare, të cilat ende refuzojnë ta njohin Kosovën, të heqin dorë nga bllokada e tyre. Ndikimi pozitiv i BE-së në Kosovë – në fushat siç është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – është dobësuar thelbësisht nga mungesa e unitetit në këtë bllok, e cila pengon pjesëmarrjen e Kosovës në institucione të rëndësishme, siç është Europoli dhe Interpoli”.

Sipas zonjës Lunacek, raporti gjithashtu fton Qeverinë në Prishtinë dhe Komisionin Evropian që të shtojnë përpjekjet për të arritur liberalizimin e vizave, duke e cilësuar rastin e Kosovës, qytetarët e së cilës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor të cilët duhet të aplikojnë për viza për të udhëtuar në BE, si jo të zakonshëm.

“Kjo situatë jonormale, e cila krijon ndjesinë e të qenët qytetar i shtresës së dytë, duhet të ndryshojë”, ka thënë Lunacek.

Njëkohësisht, ajo ka thënë se Qeveria në Prishtinë duhet të nisë së ofruari më shumë rezultate në reforma, duhet të stabilizojë dukshëm vendin, si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe në atë social.

Prishtina dhe Beogradi janë ftuar për të bërë më shumë në zhvillimin e një dialogu më konstruktiv, për të siguruar raporte të mira fqinjësore.

XS
SM
MD
LG