Ndërlidhjet

Vetëm refugjatët me dokumente mund të futen në Maqedoni


Migrantët në Tabanovc, në kufirin Maqedoni-Serbi
Migrantët në Tabanovc, në kufirin Maqedoni-Serbi

Kasim Masud, rreth të tridhjetave, është nga Siria. Ai bashkë me familjarët e tij është nisur për në Gjermani, pasi në vendin e tij të lindjes, siç thotë ai, jeta është bërë e pamundur nga luftimet e përditshme.

“Unë jam nga Siria dhejam nisur për të shkuar në Gjemani. Në Siri ka shumë probleme. Nuk ka ushqim, nuk ka asgjë. Gjithçka është shkatërruar. Perimet, mishi, djathi, buka janë shumë të shtrenjta, madje si gjen dot. Nuk ka as veshmbathje”, thotë Kasim Masud.

Edhe shoku i tij, Husan, me të cilin po udhëtojnë së bashku, rrëfen se është larguar nga vendlindja e tij për shkak të bombardimeve.

“Unë jam Husan Samara , jam nga Siria, nga Damasku. Jam nisur të shkojë në Gjermani, sepse në Siri për çdo ditë ka bombardime”, thotë Husan Samara.

Të mërkurën, përfaqësuesit e ministrive të Punëve të Brendshme nga Maqedonia, Kroacia, Austria, Sllovenia dhe Serbia, kanë arritur një marrëveshje lidhur me standardet dhe aplikimin e kritereve të përbashkëta për regjistrimin migrantëve.

Migrantët që nuk kanë me vete pasaportë apo kartë identiteti, nuk do të lejohen ta kalojnë kufirin, pasi filtrat e parë të kontrollit do të vendosen në hyrje të Greqisë, ndërsa kontrolli i ardhshëm më i detajuar do të bëhet në kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë.

Sipas drejtorit të Byrosë për Siguri Publike në Maqedoni, Goanco Savovski, këto masa janë ndërmarrë me qëllim që të parandalohen keqpërdorimet e ndryshme gjatë lëvizjes së migantëve drejt vendeve e Bashkimit Evropian .

“Ramë dakord që të bëjmë përpjekje për standardizimin e regjistrimit të migrantëve dhe të vendosen kritere të qarta dhe të përbashkëta, të cilat migrantët do të duhet t’i plotësojnë, në mënyrë që të lëvizin nëpër këtë trajektore”, ka theksuar për mediet në Maqedoni, Goanco Savovski.

Por, organizatat humanitare të cilat veprojnë në Maqedoni thonë se të gjitha kontrollet, si dhe pajisja me dokumentacionin përkatës për të udhëtuar në vendet e BE-së, duhet të bëhen në Greqi, sepse atje ka më shumë qendra pranuese, përderisa në Maqedoni kapacitetet janë shumë të kufizuara.

“Mendoj se regjistrimi i detajuar dhe pajisja me dokumentacionin përkatës për migrantët me çdo kusht duhet të bëhet në Greqi, sepse atje ka më shumë qendra pranuese të pajisura, si në aspektin teknik, po ashtu edhe kanë staf më shumë."

"Ata mund ta bëjnë fotografimin, regjistrimin e shenjave të gishtërinjve të migranëve, duke i pajisur me dokumentacionin përkatës, me të cilin ata do ta kenë më të lehtë rrugën drejt Evropës. E them me shumë përgjegjësi së Maqedonia nuk disponon me një kapacitet të tillë”, thekson Jasmin Rexhepi, nga organizata humanitare LEGIS.

Ai shton se qendra pranuese në Gjevgjeli nuk ka kapacitet për t’u siguruar qëndrim migrantëve më shumë se disa orë, andaj ka përshëndetur arritjen e ujdisë mes transportuesve privatë dhe autoriteteve qeveritare, që brenda ditës t’u mundësojnë migrantëve të lëvizin me taksi dhe autobusë, përderisa në mbrëmje, çdo ditë, një tren qarkullon nga Gjevgjelia në Tabanoc.

Kjo gjë, sipas tij, i jep fund edhe protestës së taksistëve, të cilët ishin të revoltuar për shkak se transporti i migrantëve bëhej vetëm me tren.

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë tregojnë se gjatë 24 orëve të fundit, në Maqedoni kanë hyrë 2.496 migrantë, pjesa më e madhe e të cilëve janë nga Siria, konkretisht 1.152 persona, përderisa 867 janë shtetas të Afganistanit dhe 477 shtetas të Irakut.

XS
SM
MD
LG