Ndërlidhjet

Hetim i ri për rrëzimin e aeroplanit të presidentit polak


Vendi ku u rrëzua aeroplani me zyrtarët e lartë të Polonisë në prill të vitit 2010
Vendi ku u rrëzua aeroplani me zyrtarët e lartë të Polonisë në prill të vitit 2010

Qeveria e Polonisë ka marrë sot vendim për ta hapur një hetim të ri në lidhje me aksidentin ajror në vitin 2010, me ç’rast është vrarë presidenti i shtetit, Lech Kaczynski dhe dhjetëra zyrtarë të tjerë të shtetit.

Hetimi i ri vjen në kohën e tensioneve të thella në mes të Varshavës dhe Moskës.

Duke e bërë me dije njoftimin për nisjen e hetimit të ri, ministri i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz, tha se hetimi fillestar është karakterizuar me “gabime” dhe “abnormalitet”.

Njëzetenjë anëtarë, sipas tij, do ta përbëjnë komisionin e ri hetues në përbërje të inxhinjerëve dhe ekspertëve të tjerë teknikë. Në hetim do të jenë të përfshirë edhe katër këshilltarë nga jashtë.

Hetimi i parë i bërë nga Polonia dhe Rusia ka treguar se aeroplani në afërsi të Smolenskut të Rusisë, ishte një aksident që kishte rezultuar për shkak të gabimit të pilotit dhe motit të keq.

Por, Jaroslaw Kaczynski, vëllau binjak i presidentit të ndjerë, i cili e udhëheq partinë për ligj dhe drejtësi, ka thënë se rrëzimi është një vrasje dhe për të e ka fajësuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Në avionin e rrëzuar më 10 prill të vitit 2010, afër qytetit perëndimor rus të Smolenskit, humbën jetën 96 persona përfshirë presidentin Lech Kaczynski, gruan e tij, guvernatorin e bankës qendrore, komandantë të lartë të armatës dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Delegacioni i nivelit të lartë po udhëtonte për në Rusi për të përkujtuar viktimat e masakrës së Katinit gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku u vranë oficerët ushtarak polakë nga pjesëtarët e policisë sekrete ruse.

XS
SM
MD
LG