Ndërlidhjet

Martin Shkreli “hesht” para Kongresit amerikan


Martin Shkreli
Martin Shkreli

Ish-drejtuesi i një kompanie farmaceutike, Martin Shkreli, gjatë ditës së enjte e ka shfrytëzuar të drejten e heshtjes në një seancë në Kongresin amerikan, ku nga ligjvënësit është pyetur në lidhje me çmimin e ilaqeve.

Shkreli, me origjinë shqiptare, u bë i njohur në muajin shtator të vitit të kaluar, pasi bleu linjën e prodhimit të ilaçeve Daraprim, duke shtrenjtuar çmimin e tij nga 13.5 në 750 dollarë, një rritje kjo prej 5,000 përqind.

Shkreli është paraqitur sot në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikqyrje dhe Reformë të Qeverisë ndërsa ka thënë se po e ushtron të drejtën për të mos thënë asgjë që mund ta inkriminonte atë.

Pas seancës, avokati i Shkrelit, Benjamin Brafman, sjelljet e klientit të tij i ka arsyetuar me faktin se ai ka qenë në “gjendje nervoze”.

Ndonëse gjatë seancës nuk ka folur, ai në rrjetin Twitter i ka kritikuar ligjvënësit që do ta merrnin në pyetje, duke i quajtur ata “budallenjë”.

Shkreli është arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar nga FBI në Shtetet e Bashkuara, në kuadër të hetimeve federale për shkelje fiskale. Prokurorët e akuzojnë atë se ka marrë ilegalisht aksione të “Retrophin Inc”, një firmë bio-teknologjike që ai e ngriti në vitin 2011, dhe i ka përdorur ato për të shlyer borxhe të bizneseve të tjera.

XS
SM
MD
LG