Ndërlidhjet

Clinton dhe Sanders “përplasen” rreth politikës së jashtme


Kandidatët demokratë, Bernie Sanders dhe Hillary Clinton
Kandidatët demokratë, Bernie Sanders dhe Hillary Clinton

Dy kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara të enjten kanë debatuar në lidhje me politikën e jashtme ndërsa gjatë debatit janë vërejtur ndasitë sidomos në çështjen e Iranit.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka diskutuar me senatorin Bernie Sanders, në lidhje me rivendosjen e marrdhënieve diplomatike me Teheranin në kohën kur janë hequr sanksionet ekonomike.

Clinton tha se Sanders ka gabuar kur e ka mbështetur normalizimin e marrëdhënieve me atë që ajo e ka cilësuar si shtet sponsorizues të terrorizmit që e ka “destabilizuar rajonin”.

Sanders në anën tjetër ka thënë se nuk do t’i rivendoste marrdhëniet “nesër” por do të lëvizte në këtë drejtim.

Sa i përket çështjes së Rusisë, Sanders i ka hedhur poshtë vlerësimet nga ana e administratës Obama, se Moska tashmë përbën kërcënim serioz për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe çdo komb tjetër.

Ndonëse është shprehur se nuk i pëlqen “aventurat ushtarake” të Rusisë, ai ka thënë se Koreja e Veriut përbën një rrezik më të madh duke e quajtur atë “vend të izoluar dhe shtet paranoik me bomba atomike” që është më kërcënues se Rusia apo Kina.

Clinton ka thënë në anën tjetër se “NATO-ja duhet të bëjë më shumë për mbrojtjen e përbashkët” ndaj Rusisë.

Të dy kandidatët janë pajtuar që nuk duan të shohin prani të trupave tokësore amerikane që do të vendoseshin për të luftuar në Siri apo Irak.

Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara në mënyrë të rregullt janë duke marrë pjesë në debate dhe takime publike, para votimeve që pritet të mbahen në Nju Hampshire më 9 shkurt.

XS
SM
MD
LG