Ndërlidhjet

“Lufta“ mes prokurorive për aferën e përgjimeve


Ilustrim

Ilustrim

Afera e përgjimeve në Maqedoni, ka intensifikuar konfrontimet mes dy prokurorive, asaj speciale që duhet të hetojë përmbajtjen e bisedimeve të përgjuara telefonike të zyrtarëve dhe prokurorisë publike, e cila kontrollon punën e saj.

Prokurorja speciale, Katica Janeva, para një muaji ka marrë nga lideri i opozitës, Zoran Zaev të gjitha materialet e përgjimeve për të hetuar skadalin që edhe ka shkaktuar krizën më të madhe politike dhe të sigurisë në vend.

Objekt hetimi janë zyrtarët më të lartë, përfshirë ish kryeministrin, Nikolla Gruevski dhe disa minitra e zyrtarë tjerë të lartë të pushtetit.

Por, puna e Janevës është penguar jo vetëm nga partitë në pushtet, por edhe nga prokuroria publike, drejtuesit së cilës po ashtu përmenden në bisedat e përgjuara.

Eksperët juridik thonë se kjo bëhet për të fshehur siç thonë “gjurmët e krimit“, që në vend të tyre në bankën e të akuzuarve të ulin ekipin e prokurores Janeva, gjoja për shkelje procedurash, apo bashkëpunim me opozitën e cila edhe ka publikuar aferën e përgjimeve.

“Para se të fillojë hetimi këta duan t'i japin kahje tjetër të gjitha veprimeve antilogjore pasi ato nuk mund të fshehen pasi nuk kemi të bëjmë me një vepër penale, por ato janë të shumta, në të gjithë sektorët ka vepër penale. Unë besoj se këto presione nuk do të kenë sukses edhe pse prokuroria publike do të vazhdojë edhe në të ardhmen, por kjo mund vetëm ta rrënojë edhe më shumë imazhin e saj“, thotë Bashkim Selmani.

Ai beson se gjendja nuk do të ishte e këtillë sikur prokurorja speciale të ishte efikase në hetimin e lëndëve, apo ngritjen e ndonjë padie për rastet që është duke i shqyrtuar, meqë, sipas tij, tashmë i gjithë opinioni e ka të qartë se veprimtari të shumta kriminale janë bërë nga bartësit më të lartë të pushtetit.

“Prokurorja speciale deri më tani ka vepruar shumë ngadalë, ajo duhet të ketë nisur procedurat të paktën për dy-tre lëndë pasi në momentin që do të veprojë do të heshtin të gjithë".

"Unë nuk e kuptoj formën e ngadaltë të punës së saj, ajo ende nuk e ka treguar veprimtarinë e saj si prokurore pasi puna e saj mbështetet në fakte, ose i ka ose nuk i ka. Të them të drejtnë unë kam pritur shumë pasi kriminalitetit duhet t'i përgjigjesh në kohën dhe momentin e duhur, pasi në të kundërtën nuk do të keni sukses“, thotë Selmani.

Ish prokurori publik, Jovan Tërpenovski thotë se prokurorja speciale, Katica Janeva, është zgjedhur në bazë të marrëveshjes mes partive politike, por që atëherë është e qartë se puna e saj pengohet përmes formave të ndryshme, që nga bllokimi i ligjit në Kuvend për zgjedhjen e ekipit të saj, miratimin e planin financiar, caktimin e zyrave të punës.

“Unë mendoj se kjo nuk është vetëm si rezultat i mospajtimeve mes partive politike, por edhe si përpjekje për të minimizuar apo devalvuar punën e saj pikërisht nga ata persona që druajnë se mund të jenë objekt i hetimit nga ana e Prokurorisë Speciale".

"Këtë konstatim e bazoj nga përmbajtja e materialeve të përgjuara ku protagonistë janë edhe personat që më së shumti kanë ngritur zërin kundër Janevës. Vlerësoj se puna e saj nuk duhet të pengohet pasi është në interes të shtetit para se gjithash që të zbardhet e vërteta dhe nëse ka dëshmi për shkelje apo krime të bëra, përsonat e përfshirë në to duhet të përgjigjen pavarësisht së për kë bëhet fjalë“, thotë Tërpenovski.

Prokuroria Speciale në vazhdimësi ka marrë mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar, të cilët përmes apeleve të ndryshme kanë kërkuar nga partitë që të mos pengojnë punën e saj.

Mediat kanë transmetuar edhe një deklaratë të diplomates amerikane, Kejt Brns, ushtruese e detyrës së përfaqësueses së përhershme të SHBA-së në Këshillin e OSBE-së në Vjenë, e cila në një fjalim të mbajtur i ka bërë thirrje partive në pushtet që të mos pengojnë punën e prokurores speciale në hetimin e aferës së përgjimeve.

XS
SM
MD
LG