Ndërlidhjet

logo-print

Mustafa e Thaçi: Në çdo rrethanë duhet të bisedojmë


Kryeministri Isa Mustafa (majtas) dhe zv.kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri Isa Mustafa (majtas) dhe zv.kryeministri Hashim Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, kanë ftuar partitë politike opozitare që, të hënën, më 8 shkurt, të marrin pjesë bashkërisht në takimin e ftuar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Takimi i thirrur nga presidentja Jahjaga thuhet se ka për qëllim që të zhvillojë një dialog për tejkalimin e krizës politike.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas një takimi që ka zhvilluar të shtunën me përfaqësuesit e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se çështjet duhet të zgjidhen me dialog dhe nuk ka asnjë arsye që të mos shkohet në takim.

"Unë, si kryeministër, iu kam bërë ftesë edhe vetë që të takohemi e, po ashtu, edhe zëvendëskryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike ka treguar interesin edhe gatishmërinë që të marrim pjesë që të dy, por ne i ftojmë edhe liderët e opozitës që ata të jenë aty. Ne jemi që të gjitha çështjet t'i zgjidhim me dialog, me biseda në bazë të argumenteve dhe assesi që zgjidhjet të bëhen në rrugë dhe përmes dhunës", ka deklaruar Mustafa.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka thënë se iniciative e presidentes, për një takim me liderët e të gjitha partive politike, është një hap i drejtë. Thaçi ka theksuar se dialogu është procesi i vetëm, me të cilin mund të arrihet objektivat e përbashkët të interesit shtetëror.

"[Opozita] t'i bashkohet dialogut, është zgjidhja e vetme, mundësia më e mirë. Ky është edhe vullneti i qytetarëve dhe në të njëjtën kohë është edhe këshilla e bashkësisë ndërkombëtare. Ne në çdo rrethanë duhet të ulemi dhe duhet të bisedojmë. E kemi agjendën e qartë të interesave të shtetit të Kosovës”.

“Mendoj se ky dialog tejkalon çdo interes partiak. Dhe, besoj se do të kemi edhe përgjigje pozitive, sepse është edhe në interesin e tyre që të dilet nga kjo gjendje", ka deklaruar Thaçi duke përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosjes takimin e thirrur nga presidentja e shohin si të panevojshëm.

Adonis Tahiri nga Lëvizjes Vetëvendosje, subjekti më i madhe opozitar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se jemi takuar disa herë me presidenten, dhe ajo tashmë e ka të qartë qëndrimin e palëkundur të Lëvizjes Vetëvendosje.

"As ‘Zajednica’ dhe as demarkacioni me Malin e Zi nuk kalojnë dhe se Qeveria që e ka shkelur Kushtetutën, duhet të largohet", është shprehur Tahiri.

Ai ka theksuar se nuk ka arsye për takim tjetër me presidenten, përveç rastit kur na thërret për të biseduar për datën zgjedhjeve.

"Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë politikanë që e kanë dëmtuar më së shumti Republikën e Kosovës, me marrëveshjet e dëmshme që kanë nënshkruar. Qytetarët e Republikës, 205.254 sosh, nënshkruan peticionin kundër marrëveshjeve të 25 dhe 26 gushtit. Më 23 dhjetor, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Qeveria e Kosovës i ka shkelur 23 nene të Kushtetutës, vetëm e vetëm për t’i realizuar qëllimet e Serbisë në Kosovë”.

“Kjo Qeveri nuk ka më as legjitimitet, e as legalitet ta udhëheqë më vendin. Këta pushtetarë duhet të largohen menjëherë. Populli i Kosovës e kërkoi një gjë të tillë më 9 janar, dhe do ta kërkojë edhe më fuqishëm më 17 shkurt. Zgjidhja e vetme është largimi i kësaj Qeverie dhe shpallja e zgjedhjeve të reja. E, nëse Qeveria nuk reflekton e nuk largohet vet, ne duhet t’i detyrojmë që të largohen", ka theksuar Tahiri.

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë paralajmëruar protestën e radhës më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e 8 të pavarësisë së Kosovës.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrë​eshjes ndë​rmjet Kosovë​s dhe Serbisë​ në​ Bruksel, të arritur më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë kanë theksuar se nuk do të tërhiqen para, siç i kanë cilësuar, “shantazheve” të kujtdo.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG