Ndërlidhjet

Kerry: Rusia nuk e respekton rezolutën e OKB-së


John Kerry
John Kerry

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se Rusia dhe Siria e kanë shkelur rezolutën e Kombeve të Bashkuara, që kërkon armëpushim në luftën civile, por janë duke u zhvilluar bisedime për zgjidhjen e problemit dhe për ripërtëritjen e negociatave për paqe.

Kerry tha se Rusia nuk e respekton rezolutën e Këshillit të Sigurimit për të cilën ka votuar.

As Rusia e as Assadi (presidenti i Sirisë), e as mbështetësit e Assadit, në këtë moment, nuk janë në harmoni me rezolutën e Kombeve të Bashkuara 2254, për të cilën Rusia ka votuar. Qartas, Assadi nuk ka pasur votë”, tha mbrëmë në Uashington, John Kerry, në një konferencë të përbashkët për gazetarë, me presidentin e Kolumbisë, Juan Manuel Santo.

Megjithatë, sekretari Kerry u shpreh se ka sinjale se Moska është e gatshme për hapa kah armëpushimi në Siri.

“Rusia ka indikuar tek unë në mënyrë tejet direkte se ata janë të përgatitur për ta bërë armëpushimin. Iranianët kanë konfirmuar në Londër, para një dite e gjysmë, se ata tash do ta mbështesin armëpushimin”.

“Modalitetet e vetë armëpushimit, po ashtu, po diskutohen dhe rusët i kanë bërë disa ide konstruktive se si armëpushimi faktikisht do të mund të implementohej”, tha John Kerry.

Duke u shprehur për bisedimet për arritjen e paqes në Siri, të mbajtura në Gjenevë të Zvicrës, Kerry tha se ato “nuk kanë dështuar”:

“Këto bisedime nuk kanë përfunduar, dështuar ose ndalur. Ato janë ndërprerë me vlerësimin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Staffan de Mistura, i cili e ka marrë vendimin për pezullimin e tyre derisa të shqyrtohet qasja e ndihmës humanitare dhe armëpushimi. Kjo ka kuptim, veçanërisht prej se kemi takimin e paraparë në Munih, brenda disa ditësh, ku i gjithë grupi ndërkombëtar në mbështetje të Sirisë, do të marrë pjesë, me qëllim që të shihet se a janë këto palë serioze apo jo”.

Bisedimet për paqe në Siri, të sponsorizuara nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë të Zvicrës, janë pezulluar para tri ditësh, pasi ushtria e Sirisë, e mbështetur nga sulmet ajrore të Rusisë, ka avancuar kundër forcave kryengritëse në pjesën veriore të rajonit Alepo, duke i bllokuar linjat e furnizimit humanitar për civilët.

Ofensiva e Sirisë ka vazhduar gjatë gjithë ditës së premte, ndërsa nuk ka dëshmi se ka pasur ndonjë ndërprerje në luftime, të cilat i kanë detyruar prej 20 mijë e deri në 50 mijë civilë, që të largohen nga rajoni Alepo dhe të tubohen afër kufirit me Turqinë.

Bisedimet në Gjenevë ishin përpjekja e parë për të zhvilluar negociata lidhur me përfundimin e luftës në Siri, gjatë dy viteve të fundit. Por, grupet opozitare siriane nuk kishin vullnet për negociata, derisa Qeveria po i bombardonte territoret civile.

Kerry theksoi se ka dëshmi se Rusia, gjatë sulmeve ajrore, në mbështetje të forcave qeveritare siriane të presidentit, Bashar al-Assad, po përdor bomba “jo precize”, që për pasojë kanë pasur vrasje masive të civilëve rreth Alepos.

“Ato nuk janë bomba precize dhe atje ka civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, që po vriten në numër të madh nga këto bomba”, theksoi John Kerry.

Ai e akuzoi Rusinë se po i merr në shënjestër spitalet dhe po kthehet për t’i bombarduar njerëzit që po u ndihmojnë atyre që janë plagosur më herët nga sulmet ajrore.

“Kjo duhet të ndalet”, deklaroi sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, i cili javën e ardhshme udhëton për në Munih të Gjermanisë, ku më 11 shkurt mbahen bisedimet me Rusinë, Iranin dhe palët e tjera të përfshira në konfliktin në Siri.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitaly Churkin, tha se Moska planifikon “t’i sjellë disa ide të reja në tavolinë” në bisedimet në Munih, në përpjekje për ta lëvizur përpara procesin e paqes.

Duke folur para gazetarëve në Nju Jork, pas një takimi të tensionuar me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Churkin tha se Rusia nuk do t’i ndalë njëanshëm bombardimet.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni i saj kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, po ashtu, kanë bombarduar në Siri.

“Çka ka lidhur me këtë koalicion të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara? A do të ndalen ata, po ashtu?”, pyeti Churkin.

Por, ambasadori francez në OKB, Francois Delatte, tha se negociatat e paqes “nuk mund të jenë perde tymi që lejon regjimin që heshtazi t’i vazhdojë masakrat e veta”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG