Ndërlidhjet

Evropë: Protesta kundër migrantëve dhe myslimanëve


Policia e Çekisë thotë se një grup prej afro 20 sulmuesve të panjohur të shtunën ia kanë vënë zjarrin një qendre që i ndihmon refugjatët në kryeqytetin Pragë, vetëm disa orë pasi mijëra njerëz kanë protestuar kundër myslimanëve dhe imigrimit.

Sulmuesit e shkatërruan qendrën Klinika, që dikur ishte kapacitet mjekësor në lagjen Zhizhkov në Pragë, dhe kanë hedhur koktej molotovi. Kjo qendër organizon mbledhjen e ndihmave në rroba për refugjatët.

Autoritetet thanë se së paku një person është lënduar nga sulmi.

Aktivistët që punojnë në këtë qendër thanë se sulmuesit ishin neo-nazistë.

Protesta kundër myslimanëve, e organizuar para Presidencës së Çekisë, ishte njëra nga shumë demonstratat e mbajtura të shtunën në gjithë Evropën, nga grupi PEGIDA , që është shkurtesë e lëvizjes Patriotët evropianë kundër islamizimit të perëndimit.

Ky grup është shumë tërheqës për personat me ndjenja të forta të së djathtës ekstreme dhe kundër imigrantëve, prej vitit 2014, kur ishte formuar në Drezden të Gjermanisë.

Në disa qytete të tjera evropiane, po ashtu, ka pasur tubime protestuese të lëvizjes PEGIDA.

Në Drezden, afro 8 mijë mbështetës të saj janë ballafaquar me mijëra demonstrues kundër kësaj lëvizjeje, por prania e madhe e policisë i ka mbajtur të ndara këto dy grupe.

Pjesëtari i PEGIDA-s , Siegfried Daebritz, në tubimin e Drezdenit tha se “ne duhet të kemi sukses në mbrojtjen dhe kontrollin e kufijve të jashtëm të Evropës, e po ashtu, edhe kufijtë e brendshëm”.

Organizatorët e protestës së lëvizjes PEGIDA thanë se kishin pritur pjesëmarrjen e së paku 15 mijë njerëzve në tubimin e tyre në Drezden.

Kundër-demonstrata në pjesën tjetër të lumit Elbe, që e ndanë Drezdenin, kishte tubuar rreth 10 mijë vetë.

Në demonstratat kundër myslimanëve dhe kundër imigrimit, në qytetet Varshavë, Amsterdam, Birmingem, pastaj në qytetet në Francë, Letoni dhe Danimarkë, PEGIDA dështoi mbledhjen e numrit më të madh të njerëzve. Janë parë vetëm disa qindra vetë.

Në Amsterdam, afro 200 mbështetës të lëvizjes PEGIDA, që ishin përpjekur ta mbajnë protestën e parë në një shesh afër ndërtesës së administratës lokale, janë përleshur me policinë.

Dhuna shpërtheu kur autoritetet e mbyllën këtë hapësirë pak para fillimit të protestës, për shkak të asaj që nga ekspertët për eksplodime është përshkruar si “pako e dyshuar”.

Por, në qytetin kufitar francez, Kale, policia përdori gaz lotsjellës dhe u përlesh me turmën e dhunshme prej afro 150 njerëzve, që demonstronin kundër migrantëve. Këta protestues brohoritnin diçka sikur “ne nuk guxojmë të lejojmë vdekjen e qytetit Kale”.

Disa demonstrues të krahut të djathtë ekstrem janë arrestuar nga autoritetet në Kale.

Këta protestues e kishin injoruar vendimin e autoriteteve lokale për ndalesën e tubimeve të tilla.

Qyteti kufitar francez, Kale, është bërë pikë kryesore e krizës së migrantëve në Evropë, për shkak se mijëra imigrantë janë tubuar atje dhe jetojnë në kampe pa kushte elementare, derisa presin rastin që të kalojnë në Britani nëpërmjet hekurudhës nënujore.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG