Ndërlidhjet

Trepça pretendon se nuk i ka borxhe askujt 


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Një ndër problemet, me të cilat ballafaqohet kombinati metalurgjik "Trepça” në Mitrovicë, është edhe borxhi i pretenduar nga kreditorë të ndryshëm, të krijuar gjatë viteve të 90-ta, periudhë kjo kur ky kompleks është udhëhequr nga autoritet e atëhershme serbe.

Udhëheqës të këtij kombinati thonë se borxhi i pretenduar, sipas tij, nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, prej 1.5 miliardë euro është i pabazë apo i shantazhuar.

Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm në kombinatin “Trepça” për Radion Evropa e Lirë, madje vlerëson se nga kjo shumë, 1.1 miliardë euro konsiderohet se autoritetet serbe i kanë borxh punëtorëve të këtij kombinati për gati një dekadë, periudhë kjo kur Trepça është menaxhuar nga Kuvendi i Serbisë.

“Rreth 1.1 miliardë euro janë borxhe interne. Ne vlerësojmë se Serbia u ka borxh punëtorëve për mospërfundimin e obligimeve prej vitit 1990 deri më 1999”, ka thënë Tmava

Ndërkaq, ish drejtori i Trepçës, Ferat Shala, pohon se Trepça nuk i ka borxh askujt.

Ai thotë se në periudhën kur pretendohet të jetë krijuar borxhi, nuk ka bazë në dokumentacione, por as që ka pasur ndonjë investim kapital në këtë kombinat.

Shala, i cili për katër vjet ka udhëhequr këtë kombinat, pohon se gjatë kësaj periudhe madje ka pasur shkatërrime në Trepçë.

"Çështja fikse e borxheve nuk mund të diskutohet, ato janë borxhe që janë krijuar në një periudhë pushtimi, në një gjendje lufte, në një periudhë kur në Trepçë nuk ka pasur asnjë punëtorë shqiptar, ku mbi 12 mijë punëtorë janë larguar nga puna".

"Në bazë të asaj sa kam informacione, në atë periudhë nuk ka pasur investime në Trepçë, nuk janë gjurmët as në letra, as në makineri, as në investime kapitale, e as në një tip të investimeve që bëhen në sektorin e minierave në Kosovë“, tha Shala për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, në adresë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit tashmë kanë arritur disa kërkesa të kreditorëve pretendues, por që ende nuk është publikuar numri i pretendueseve dhe as shumat sa kërkojnë.

Në mbledhjen e fundit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, është marrë vendim që të formohet një komision për analiza preliminare të kërkesave kreditore.

Drejtori aktual i Trepçës, Ahmet Tmava, thotë se kjo çështje sa më shpejtë duhet të zgjidhet në mënyrë që të fillojnë procedurat në zgjidhjen e statusit të Trepçës.

"Menaxhimi i të gjitha resurseve do të bëhet nën ombrellën e Trepçës, si karakter publik; aksionar do të jetë shteti dhe kjo formë e menaxhimit dhe statusit i jep mundësi rritjes së prodhimit për një periudhë kohore prej pesë vitesh", ka thënë Tmava.

Puna në kombinatin metalurgjik Trepça, sektorët e të cilit gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit të Mitrovicës, që prej viteve të 90-ta, ka qenë me kapacitet të pjesërishëm, për shkak të zhvillimeve të atëhershme politike, nën regjimin e pushtetit serb.

Ky kombinat që para viteve të 90-ta ka pasur 25 mijë punëtorë, ndërsa tash numëron vetëm 1400 punëtorë aktivë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG