Ndërlidhjet

Para dy vitesh, në përgjigje të aneksimit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, të Krimesë së Ukrainës, Shtetet e Bashkuara imponuan sanksione të ashpra, veçanërisht kundër miqve të zotit Putin dhe perandorisë së tyre biznesore të korruptuar, shkruan në fillim të artikullit autorial, senatori amerikan, John McCain, republikan nga Arizona, të botuar në të përditshmen, Wall Street Journal.

Theksohet se si pjesë e kësaj përpjekjeje, në vitin 2014 dhe 2015, Kongresi i miratoi kufizimet në shfrytëzimin e motorëve të raketave të prodhuara në Rusi për lansim në gjithësi për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, në kuadër të autorizimit të legjislacionit të mbrojtjes.

Firma United Launch Alliance (ULA), korporatë monopoliste e krijuar nga Boeing Co dhe Lockheed Martin Corp., që ka marrë subvencione prej afro 1 miliard dollarë në vit, i kishte lansuar satelitët e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, për dy dekada, duke i përdorur makinat e raketave të prodhuara në Rusi.

Këta motorë janë punuar nga kompania, NPO Energomash OAO, që është pronë ose kontrollohet nga disa prej miqve të zotit Putin, shkruan McCain në Wall Street Journal.

Pas invadimit të Rusisë në Ukrainë, Kongresi ka dëshiruar ta ndalë këtë gjë menjëherë, por e kishte parasysh se kjo do të merrte një kohë për tranzicion në makina të prodhuara në Shtetet e Bashkuara.

Për këtë arsye, në autorizimin e legjislacionit të mbrojtjes për vitin 2016, u lejua që ULA t’i përdorte gjithsej 9 motorë të prodhuar në Rusi për shërbimet e lansimeve në gjithësi.

Pastaj, në dhjetor të vitit të kaluar, u publikua një legjislacion gjithpërfshirës në vlerë prej 3 mijë miliardë dollarëve.

Aleatët e ULA-s në Kongres, përfshirë senatorin republikan nga Alabama, Richard Shelby, dhe senatorin demokrat nga Ilinoisi, Dick Durbin, e anashkaluan dispozitën pas dyerve të mbyllura dhe pa debat, duke e shndërruar atë në legjislacion që efektivisht e lejon ULA-n të blejë numër të pakufizuar të motorëve raketorë rusë.

Pra, ne do t’i dërgojmë qindra miliona dollarë për Moskën, derisa Rusia e okupon Krimenë dhe e destabilizon Ukrainën, shkruan pos tjerash, John McCain në Wall Street Journal.

Këtë çështje e trajton edhe e përditshmja Washington Times, në artikullin me titull, Partneritet i Rrezikshëm me Rusinë, ku autori, Greg Autry, shkruan se ishte i shokuar kur senatori republikan, Richard Shelby, në mënyrë sekrete e futi një amandament në legjislacionin gjithpërfshirës ku urdhërohet Forca Ajrore që ta vazhdojë blerjen e motorëve rusë.

Autori vlerëson se kjo gjë ishte “dhuratë për regjimin e Putinit”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG