Ndërlidhjet

Hoti: Grupet kriminale po e cenojnë sigurinë në veri


Besim Hoti - Zëvendës komandant i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës

Besim Hoti - Zëvendës komandant i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoti, ka vlerësime të ndryshme nga ekspertët e sigurisë në Kosovë se me gjithë përparimet e bëra kohët e fundit, në veri të Mitrovicës gjendja sigurisë vazhdon të mbetet e brishtë. Si e vlerësoni gjendjen aktuale atje, referuar zhvillimeve të muajve të fundit?

Besim Hoti: Mund të pajtohem pjesërisht me deklaratat e analistëve, por jo tërësisht. Incidentet e tilla, të cilat herë pas herë mund të ndodhin, sigurisht që nga aspekti i paragjykimeve mund të jenë si të tilla, por, ato duhet të vërtetohen, para se ne të konstatojmë një gjë të tillë; mendoj, në mungesë të dëshmive dhe fakteve.

Se a ka grupe, individë ose persona me qëllime të caktuara, për të pamundësuar zhvillimin e institucioneve...po, ekziston si mundësi, por po flasim për individë e për grupe të caktuara. Sidoqoftë, vlerësimi i përgjithshëm i sigurisë në rajonin e veriut, përkatësisht në katër komunat më veriore të Republikës së Kosovës, tregon se nuk kemi regjistruar incidente dhe nuk kemi pasur raste të cilat në formë të përgjithshme do ta cenonin sigurinë. Ka incidente, të cilat mund të jenë të organizuara ose të izoluara, por nuk mund të flasim për incidente të cilat cenojnë përgjithësisht situatën e sigurisë.

Radio Evropa e Lirë: Ju po flisni për grupe dhe persona. Për cilat grupe bëhet fjalë?

Besim Hoti: Ju jeni dëshmitarë se në veri kemi një zbatim më të fuqishëm të ligjit, në përpjekje edhe të shtrirjes së institucioneve të tjera, që për grupe të caktuara kriminele, me qëllim të përfitimeve materiale të jashtëligjshme, sigurisht që shtrirja e institucioneve nuk është mjaft e mirëpritur. Viteve të fundit kemi një shtrirje më të fuqishme të zbatimit të ligjit në veri, dhe kjo i pengon grupet e caktuara të interesit, sepse i prishë hesapet e tyre të përfitimeve.

Edhe rasti i fundit, që lidhet me djegien e veturës zyrtare, sigurisht që mund të jetë një çështje personale e një individi apo grupi të caktuar, kundrejt të cilëve zyrtarët policorë kanë zbatuar ligjin, duke u nisur nga arrestimet e deri te sekuestrimi i mallrave ose elementeve të jashtë ligjshme. Këto mund të merren si çështje të hakmarrjeve të ndryshme ndaj zyrtareve policorë, të cilat s'ëndërrohen në çështje personale te individët. Zyrtarët policorë nuk i shohin si zbatues të ligjit, por çështjet i marrin si personale. Kemi pasur raste të hakmarrjes edhe në të kaluarën ndaj zyrtarëve që kanë zbatuar ligjin.

Radio Evropa e Lirë: Kur flisni për këto grupe, kjo nënkupton se janë disa grupe, apo jo?

Besim Hoti: Janë individë, grup, ose grupe. Nuk dua të paragjykojë me numra se sa grupe janë, por, mund të jenë grupe të interesit prej dy apo më tepër personave. Nuk do të thotë që është vetëm një grup i caktuar i organizuar... nuk duhet të jetë ai i strukturuar, por, po preken interesat e grupeve të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, sa mund të konsiderohen këto grupe si faktorët që po i rrisin tensionet në veri, dhe sa janë të fuqishme ato që t’i sfidojnë organet e rendit?

Besim Hoti: Sigurisht që nuk janë [të fuqishme]. Ndoshta mund të pajtohemi ose të mos pajtohemi, por ajo që është më e rëndësishmja, e veçanërisht për një zonë mjaft të ndjeshme, si Mitrovica e veriut, aty ku ndër vite kemi pasur incidente jashtëzakonisht madhore, e kryesisht të orientuara nga karakteri i urrejtjes ndëretnike, [tash] të tilla nuk kemi.

Tash po flasim për qërim hesapesh të grupeve kriminale, të cilave u preken interesat, dhe kjo fuqi e tyre nuk mund të jetë aq e madhe sa mund të paragjykohet. Mund të themi se fuqia e këtyre grupeve të interesit dhe fuqia e këtyre grupeve kriminale për çdo ditë vjen e zbehet, dhe në këtë mënyrë, në veri të kemi sa më pak incidente.

Radio Evropa e Lirë: Një çështje shqetësuese, që në vazhdimësi është ngritur në lidhje me veriun, ka të bëjë edhe me lirinë e lëvizjes. Sa janë bërë përparime në këtë drejtim, sidomos në lirinë e lëvizjes në lagjet me popullatë shumetnike?

Besim Hoti: Sipas statistikave, ne nuk kemi pasur incidente të karakterit të tillë, të cilat vërtetë do të pasqyroheshin negativisht në veri. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur katër raste të tilla të regjistruara, por kryesisht kemi pasur të bëjmë me persona të mitur, pra, të moshës së re.

Në të gjitha këto raste, policia i ka arrestuar personat si kryerës të mundshëm të veprës, dhe të njëjtit i ka sjellë para drejtësisë. Kemi të bëjmë edhe me raste madhore, të rënda, deri në vrasje të rëndë në tentativë, por, policia i ka zgjidhur këto raste të regjistruara. Ambienti i sigurisë ka ndryshuar mjaft dhe tani kemi një ngritje të sigurisë dhe një ngritje të besimit në organet e sigurisë në të gjitha zonat e banuara me popullatë të përzier. Kemi një qarkullim, bashkëpunim dhe koordinim mjaft të mirë edhe me përfaqësuesit e këtyre lokaliteteve.

Radio Evropa e Lirë: Sa është numri i pjesëtarëve shqiptarë të policisë në veri, dhe numri i përgjithshëm i policëve në atë pjesë të Kosovës?

Besim Hoti: Kemi diku mbi 40 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të përkatësisë etnike shqiptare, të cilët shërbejnë në këto zona; pra, e kam fjalën për katër stacionet policore, të cilat janë në komunat më veriore të Kosovës. Kurse, numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në drejtorinë rajonale të veriut është rreth 506 pjesëtarë të policisë, pra, zyrtarë të uniformuar.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG