Ndërlidhjet

logo-print

SHBA dhe A. Saudite bisedojnë për dërgimin e trupave në Siri


Adel al-Jubeir (majtas) dhe John Kerry gjatë një takimi të tyre në Londër

Adel al-Jubeir (majtas) dhe John Kerry gjatë një takimi të tyre në Londër

Ministri i jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al-Jubeir, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të forcave speciale suadite brenda në Siri, në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili kryen sulme ajrore kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik.

“Ka diskutim lidhur me kontigjentin e forcave tokësore ose kontigjentit të forcave speciale për të operuar në Siri nga ky koalicion ndërkombërtar, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it dhe Mbretëria e Arabisë Saudite ka shprehur gatishmëri për dërgimin e forcave speciale në këto operacione, nëse ato ndodhin”, tha mbrëmë zoti al-Jubeir.

Këto komente ai i ka bërë pasi për dy ditë është takuar me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, në Uashington. Bisedimet e tyre ishin të fokusuara në konfliktet në Siri dhe Jemen.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të shtetit i ka konfirmuar bisedimet për “element tokësor” në Siri.

Për katër muaj, sulmet ajrore të Rusisë e kanë ndihmuar regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, në luftën civile tashmë gati pesëvjeçare në Siri.

Ushtria siriane gjatë ofensivës së saj madhore po avancon kah kufiri me Turqinë, me mbështetje të Rusisë dhe Iranit.

Presidenti amerikan, Barack Obama, i ka rezistuar shprehjes së përkushtimit për trupa amerikane tokësore në Siri, por vitin e kaluar vendosi t’i dërgoj atje afro 50 pjesëtarë të forcave për operacione speciale.

XS
SM
MD
LG