Ndërlidhjet

Gjenerali serb i Bosnjës vdes në burgun e Hagës


Gjenerali serb i Bosnjës, Zdravko Tolimir
Gjenerali serb i Bosnjës, Zdravko Tolimir

Gjenerali serb i Bosnjës, Zdravko Tolimir, ka vdekur mbrëmë në burgun e Hagës, ku ai po e vuante dënimin e përjetshëm për gjenocid.

Udhëheqësi serb i angazhuar për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, Rasim Ljajiq, i ka thënë televizionit serb RTS se Tolimir ka vdekur mbrëmjen e së hënës, në qendrën e paraburgimit të gjykatës së OKB-së.

Vdekja e tij është konfirmuar sot edhe nga Tribunali i Hagës.

“Ai është marrë i sëmurë nga qendra e paraburgimit të gjykatës mbrëmë rreth orës 09.00. Ai ka marrë përkujdesje mjekësore, por ai vdiq”, ka thënë sot zëdhënësi i Tribunalit të Hagës, Nenad Golqevski.

Tolimir, 67 vjeçar, konsiderohet të ketë qenë krahu i djathtë i shefit të ushtrisë serbe në Bosnjë, Ratko Mladiq, i cili aktualisht është duke u gjykuar në Hagë.

Zdravko Tolimir është dënuar në vitin 2012 me burg të përjetshëm për rolin e tij në gjenocid, për krime kundër njerëzimit dhe për krimet e luftës të kryera gjatë viteve 1992-1995 në Bosnjë.

Gjatë luftës në Bosnjë kanë vdekur rreth 100 mijë persona.

Dënimi ndaj Zdravko Tolimir e ka marrë mbështetjen e dhomës së apelit në vitin 2015.

XS
SM
MD
LG