Ndërlidhjet

Gjykata Supreme e shqetësuar me nivelin e ulët të oksigjenit në Pallatin e Drejtësisë


Prishtina, Kosovë

Prishtina, Kosovë

Gjykata Supreme e Kosovës, përmes një komunikate për media, e ka shfaqur shqetësimin në lidhje me nivelin e ulët të oksigjenit në Pallatin e Drejtësisë.

Reagimi i gjykatës vjen në ditën kur në media është publikuar një ekspertizë profesionale, e autorizuar nga Prokuroria, në të cilën konstatohet se oksigjeni në këtë ndërtesë është 11 herë nën normat e lejuara.

Gjykata thotë se pasojat e kësaj gjendje po i ndjejnë punonjësit e këtij mekanizmi, çdo ditë.

“Të ballafaquar me pasojat e kësaj gjendjeje, gjyqtarët dhe stafi i Gjykatës Supreme është dashur disa herë të kërkojnë ndihmë mjekësore. Dhimbjet e kokës, syve, gjakderdhje nga hunda, plogështi dhe marramendje, janë vetëm disa nga simptomat që manifestohen te shumica e stafit në këtë gjykatë”, thuhet në komunikatën e lëshuar.

Gjykata ka shfaqur habinë se si është mbajtur sekrete ekspertiza dhe si nuk kanë reaguar deri më tani organet kompetente. Andaj, ata kanë kërkuar hapa urgjent në sanimin e gjendjes, “në mënyrë që të mbrohet jeta dhe shëndeti i individit”.

“Përkundër adresimit të problemeve të shfaqura në Pallat, Gjykata Supreme nuk ka parë asnjë përmirësim në këtë drejtim, ndaj kjo gjykatë, kërkon që sa më shpejt të intervenohet në hapjen e dritareve, pasi sistemi i ventilimit është dëshmuar joefikas, ndërkohë që jeta jonë po rrezikohet çdo ditë”, thuhet në komunikatë.

Nëse përkundër gjithë këtyre reagimeve, kompetentët nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm për të sanuar gjendjen këtu, sipas komunikatës, “personat përgjegjës, për lëshimet e tilla, do të përgjigjen edhe penalisht për mosveprim”.

XS
SM
MD
LG