Ndërlidhjet

logo-print

Përplasje vdekjeprurëse e trenave në Gjermani

  • RFE /RL

Bad Aibling, Bavari, 9 shkurt 2016.

Bad Aibling, Bavari, 9 shkurt 2016.

Së paku dhjetë njerëz kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, pasi dy trena pasagjerësh janë përplasur në rajonin gjerman të Bavarisë.

Aksidenti ka ndodhur pranë qytetit Bad Aibling, rreth 60 kilometra në juglindje të Mynihut.

Operatori i trenave ka thënë se të dy trenat kanë dalë pjesërisht nga binarët dhe kanë goditur njëri-tjetrin.

Ekipet e emergjencës kanë punuar me orë të tëra për të nxjerrë viktimat nga rrënojat.

Policia rajonale ka thënë se dhjetë njerëz kanë vdekur dhe rreth 100 janë plagosur, 50 nga të cilët në gjendje të rëndë.

Drejtuesit e të dy trenave janë në mesin e të vrarëve.

Ministri gjerman i Transportit, Alexander Dobrindt, i cili ka vizituar vendin e ngjarjes, ka thënë se bëhet fjalë për një “pamje të tmerrshme”.

“Kabinat e makinistëve janë futur në njëra-tjetrën. Njëra pjesë e një treni është plotësisht e shkatërruar”, ka thënë ai për gazetarët.

Ministri Dobrindt ka thënë po ashtu se trenat janë përplasur me njëri-tjetrin me shpejtësi të madhe. “Dyshojmë se të dy kanë qenë duke udhëtuar rreth 100 kilometra në orë”, ka thënë ai.

Dy nga tre regjistruesit e të dhënave, apo kutitë e zeza, tashmë janë gjetur.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrman, ka thënë se “është e vështirë të kuptohet” se si ka ndodhur një aksident i tillë, marrë parasysh sasinë e investimeve në sigurinë hekurudhore”.

Kompania rajonale e trenave Meridian ka thënë përmes një deklarate se “aksidenti tragjik” ka ndodhur midis qyteteve Rozenhajm dhe Hollckirhen, në orën 7:00, sipas kohës lokale.

Deri në mesditë, policia ka thënë se të gjitha viktimat janë larguar nga rrënojat. Ekipet e shpëtimit nga Austria kanë ndihmuar po ashtu.

Banka e gjakut në Mynih ka lëshuar një apel në Facebook për dhurim të gjakut.

Kompania Meridian udhëheq rrjete të trenave, tramvajeve dhe autobusëve në 19 shtete dhe ka pasur të ardhura prej 6.6 miliardë eurosh në vitin 2014.

Në qershor të vitit 1998, 101 persona kanë humbur jetën kur një tren me shpejtësi të lartë ka dalë nga binarët në Saksoninë e Poshtme në Gjermani. (v.tela)

XS
SM
MD
LG