Ndërlidhjet

Viktimës afgane do t'i vihet hundë e re

  • RFE /RL

Reza Gul

Reza Gul

Gruaja afgane, bashkëshorti i së cilës ia ka prerë hundën, është në Turqi ndërsa pritet të operohet me qëllim që t’i vendoset një hundë e re.

Mjekët në spitalin Mimine të Ankarasë, thonë se gjatë katër javëve sa mund të zgjas shërimi, pritet të bëhen disa operacione me qëllim që t’i vendoset hunda afganes, Reza Gul.

Reza Gul, 20 vjeçare, thotë se bashkëshorti i saj ia ka prerë hundën dhe e ka braktisur atë pasi që e ka akuzuar se është larguar pa leje nga shtëpia.

Sulmi ndaj saj ka shkaktuar reagime të shumta dhe janë ngritur shqetësime në lidhje me dhunën familjare në Afganistan.

Duke folur nga shtrati i saj në spital, më 5 shkurt, Reza Gul iu ka thënë gazetarëve se ishte martuar me forcë në moshën e adoleshencës dhe për gjashtë vite ka përjetuar dhunë në familje.

“Nëna dhe babai im, pa dijeninë time, më dhanë mua që të martohem me këtë njëri. Ata më thanë se ky është Islami, ai është mysliman dhe do të jetë mirë për ju”, ka thënë ajo.

Autoritetet afgane thonë se sulmi ka ndodhur më 17 janar në një fshat të largët të kontrolluar nga talibanët, në distriktin Ghormach të provincës Faryab.

Zëdhënësi i guvernatorit të provincës, Ahmad Javed Bedar, ka thënë se burri i Reze Gul, Mohammad Khan, ia ka prerë asaj hundën me një thikë xhepi.

Një ditë pas prerjes së hundës, pasi ajo kishte derdhur shumë gjak, Reze Gul ishte dërguar në spitalin lokal të kryeqytetit të provincës, Maymana.

Ajo më pas ishte dërguar në Kabul për tu trajtuar. Autoritetet afgane e kanë transferuar atë në Turqi për tu operuar, ngase një operacion për rivendosjen e hundës, nuk ishte i mundur në Afganistan.

Kirurgu plastik turk, Ramazan Erkin, ka thënë se mjekët do t’ia rivendosin hundën asaj, brenda tri deri në katër javë.

“Hunda e pacientit ishte e prerë tërësisht më thikë të mprehtë. Mungonte indi dhe ashti. Por, përmes kirurgjisë, ne mund t’ia rikthejmë hundën. Ndoshta duhet të bëhen disa operacione”, iu ka thënë Erkin gazetarëve në Ankara.

Në Ankara, Reze Gul është e shoqëruar nga vajza e saj e mitur, nga nëna dhe xhaxhai i saj. Familja thotë se Reze Gul nuk dëshiron të kthehet në Afganistan, përveç nëse autoritetet e garantojnë mbrojtjen e saj të plotë.

Policia thotë se e kanë pasur të pamundur që ta arrestojnë burrin e Reza Gul, i cili është larguar nga fshati pas sulmit ndaj bashkëshortes.

Në disa rajone të Afganistanit, prerja e hundës është konsideruar tradicionalisht si ndëshkim për ata që kanë sjellur turp në familjet e tyre.

Dhuna ndaj grave, përfshirë dhunën në familje, është e zakonshme në Afganistan, ku kryesit shumë shpesh nuk ndëshkohen.

Më 5 shkurt, një grua është vrarë pasi që është akuzuar për tradhëti në një fshat të kontrolluar nga talibanët në krahinën perëndimore, Ghor.

Qeveria provinciale ka njoftuar se gruaja, e identifikuar si Zahra, u ekzekutua pasi ishte gjykuar në një gjykatë të talibanëve. Një guvernator lokal, megjithatë ka thënë se ajo është qëlluar për vdekje nga bashkëshorti i saj, i cili e akuzoi atë për marrdhënie seksuale jashtëmartesore.

Në Ghor gjithashtu, një grua 19-vjeçare, e akuzuar për tradhëti bashkëshortore, u gjuajt me gurë për vdekje më 25 tetor të vitit 2015.

Një video e filmuar nga një dëshmitar okular tregon se gruaja, e identifikuar si Rokhshana, ishte mbytur nga gurët.

Ajo ishte fajësuar se kishte ikur nga shtëpia me të fejuarin e saj, në përpjekje për të gjetur një vend për t’u martuar. Një zyrtar lokal ka thënë se militantët e kanë akuzuar atë për marrëdhënie seksuale paramartesore.

Së paku një i dyshuar është arrestuar në lidhje me hedhjen e gurëve në drejtim të saj ndërsa policia thotë se janë në kërkim të personave të tjerë.

Zyrtarët i kanë zhvendosur nga fshati prindërit e viktimës. Për shkaqe sigurie ata janë dërguar në kryeqytetin e provincës Firoz Kor.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG