Ndërlidhjet

Trump dhe Sanders fitojnë zgjedhjet në Nju Hempshir


Trump dhe Sanders
Trump dhe Sanders

Republikani Donald Trump dhe demokrati Bernie Sanders kanë dridhur garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara me fitore vendimtare në zgjedhjet paraprake në Nju Hempshir.

Miliarderi Trump ka fituar dyfishin e votave të kandidatit tjetër republikan, John Kasich, ndërsa senatori Sanders, i cili ka mundur rivalen demokrate, Hillary Clinton, me një diferencë të madhe, ka thënë se fitorja e tij tregon se njerëzit duan “ndryshime të vërteta”.

Nju Hempshir është shteti i dytë që ka votuar për kandidatin presidencial të partisë, pas zgjedhjeve në Ajoa që janë mbajtur javën e kaluar. Në Ajoa kanë fituar senatori Ted Cruz nga republikanët dhe Clinton nga demokratët.

Në fjalimin e fitores, Trump, manjat i pasurive të patundshme, ka thënë se ai do ta kthejë respektin për Shtetet e Bashkuara.

“Do të mundim Kinën, Japoninë, do të mundim Meksikën me tregti. Do t’i mundim të gjitha këto vende që marrin aq shumë para nga ne, në baza ditore. Ne kemi njerëzit më të mëdhenj të biznesit në botë. Ata më thërrasin gjithë kohën dhe duan të përfshihen. Do t’i përdorim ata, do të bëjmë diçka të mirë, të shpejtë dhe të fuqishme. Bota do të na respektojë përsëri, më besoni”, ka thënë Trump.

Trump, 69 vjeç, është zotuar se do të dëbojë miliona migrantë që jetojnë paligjshëm në SHBA, se do të ndërtojë mur në kufi me Meksikën dhe se do të vendosë ndalesë të përkohshme për të gjithë myslimanët që duan të hyjnë në SHBA.

Senatori demokrat, Bernie Sanders, 74 vjeç, është zotuar se do të çrrënjosë pabarazinë në të ardhura, se do të sigurojë edukim falas universitar dhe se do t’iu japë fund bankave të mëdha.

“Duhet të bëhemi së bashku, ta bashkojmë këtë parti dhe këtë komb, sepse republikanët e krahut të djathtë që ne kundërshtojmë, nuk duhet të fitojnë presidencën”, ka thënë Sanders.

Clinton ka uruar Sandersin, por ka thënë se do të vazhdojë të luftojë për secilën votë në fushatë. Pavarësisht zmbrapsjes në Nju Hempshir, ajo mbetet favorite për nominim nga Partia Demokratike.

Fushata tani do të vazhdojë në Karolinën e Jugut, ku Clinton dhe Trump kanë udhëheqje të konsiderueshme.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen këtë nëntor. Fituesi do të pasojë presidentin aktual, Barack Obama, i cili ka shërbyer dy mandate.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG