Ndërlidhjet

Haradinaj: Deklaratat e Vetëvendosjes, të parëndësishme


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

"Zgjidhja e vetme për krizën politike në Kosovë janë zgjedhjet e parakohshme, së bashku me zgjedhjen e presidentit me votë të drejtpërdrejtë", ka thënë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Ramush Haradinaj, lider i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, ditë më parë keni qenë pjesëmarrësi i vetëm i opozitës në takimin me liderët e partive të koalicionit qeverisës, të organizuar nga presidentja e Kosovës. A mendoni se janë shterrë mundësitë për dalje nga kriza politike përmes bisedimeve?

Ramush Haradinaj: Në gjendjen e tashme, nuk mbajë shpresë se bisedimet ndihmojnë ose do të japin zgjidhje. Unë kam shkuar me një propozim konkret, por ka qenë e pamundur që ta trajtojmë këtë propozim - kanë qenë zgjedhjet.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, të dy drejtuesit e partive të koalicionit qeverisës kanë thënë se zgjedhjet do të mbahen në vitin 2018 dhe jo më herët. A mendoni se do të ketë ndonjë qasje tjetër për të arritur deri te një zgjidhje apo do të jenë vetëm zgjedhjet?

Ramush Haradinaj: Mendojmë që me degradimin çfarë i ka ndodhur vendit, shtet i kapur, politizim i skajshëm i institucioneve, korrupsion enorm, me një gjendje të rëndë në ekonomi, mungesë investimesh, përsëri korrupsion dhe papunësi të lartë, me një situatë në rend dhe ligj e me gjyqësorë që është në vështirësi, me ombrellë të sigurisë të pa përmbyllur, ende se kemi Ushtrinë e Kosovës, do të thotë rrezikohemi nga rreziqet tashmë globale, luftëtarët islamik.

Në plan të jashtëm, me dështime në njohje dhe në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por veçanërisht me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e ka nxjerrë njërën nga marrëveshjet jo në frymën e Kushtetutës në të gjitha nenet e saj - e kur dihet se në Kosovë, nga vendimet e tilla kushtetuese janë shkarkuar dy presidentë - koha është për dorëheqje të qeverisë së vendit dhe për të shkuar në zgjedhje.

Pra, nuk bëhet fjalë më për pikëpamje të rëndomta dhe të zakonshme, për mandate të zakonshme, por bëhet fjalë për një situatë, e cila kërkon reflektim nga pushtetarët, nga qeveritarët dhe ne mendojmë që zgjedhjet janë: fytyrë për të gjithë. Pra, mbetet fytyrë për të gjithë.

Radio Evropa e Lirë: Vet prania e juaj në atë takimin e së hënës te presidentja, a është sinjal se mund të ketë qarje në bllokun opozitar, marrë parasysh edhe disa deklarata që kanë ardhur nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, që nuk e kanë pëlqyer këtë veprim?

Ramush Haradinaj: Ne jemi fuqishëm të angazhuar në rritjen e kundërshtimit qytetarë për të kundërshtuar degradimin e shtetit - degradimin ashtu siç e shpjegova - që mendojmë se është momenti i fundit për Kosovën që të ndalet ky degradim.

Për mua janë të parëndësishme deklarimet e zotit Ymeri apo të kolegëve të tij, për shkak se unë përfaqësoj qytetarë dhe një kauzë që është e të gjithë qytetarëve - edhe e Vetëvendosjes, edhe e Aleancës, edhe e Nismës, edhe shoqërisë civile, por edhe e shumë të tjerëve. Ne do ta vazhdojmë këtë kundërshtim fuqishëm, sepse këtë e bëjmë për Kosovën, së bashku, gjithsesi.

Radio Evropa e Lirë: Cila është sipas jush formula për dalje nga kjo gjendje, marrë parasysh që edhe nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat i kërkon opozita, kërkohet marrëveshje?

Ramush Haradinaj: Precedenti i shkuarjes në zgjedhje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është një precedent i mirë në demokraci. Është një themel që në rast se ka shkelje të Kushtetutës ose në rast se ka dalje të vendim marrësve nga obligimet kushtetuese, që të jepet llogari.

Pra, ne i bëjmë dy here shërbim vendit. Nën një: e krijojmë precedentin, që në rast se shkelet kushtetuta, duhet të reflektohet; dhe nën dy: po ashtu, dalim nga kriza që kemi në vend, që është një krizë qeverisëse. Për këtë arsye, mendoj se kjo është dalja. Pra, zgjedhjet janë dalja.

Nuk guxojmë të humbim kohë. Pra, ne nuk kemi kohë të humbim dhe duhet të veprojmë sa më shpejtë me vendimin për zgjedhje. Vendimi për zgjedhje është një vendim që bëhet nga i gjithë spektri politik, por në këtë rast duhet të veprojë presidentja e vendit.

Radio Evropa e Lirë: Por, nëse shkohet në zgjedhje, pa zgjedhjen e presidentit, prapë do të ketë telashe edhe të kuptimit juridik, brenda Kosovës, por edhe politike...

Ramush Haradinaj: Nuk mundet, ndoshta, të gjendet zgjidhja e lehtë, për të gjitha telashet që i ka vendi, por duhet të fillojmë me zgjidhje, e që janë zgjedhjet.

Me këtë rast, unë kam propozuar që të zgjidhet edhe presidenti, drejtpërdrejtë nga qytetarët. Do të ishte hera e parë që do ta zgjidhnim presidentin drejtpërdrejtë, mirëpo mandati do të ndryshonte.

Pra, nuk do të kishim në të ardhmen zgjedhje për president dhe për parlament në të njëjtën kohë. Vetëm këtë herë. Kësisoj, ne do të hynim në një cikël të ri të qëndrueshmërisë së institucioneve të vendit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, këto ditë keni pasur takime me përfaqësuesit ndërkombëtarë. A ka pasur ndonjë kërkesë ose ofertë për ju?

Ramush Haradinaj: Ne kemi një interesim të vazhdueshëm të faktorit ndërkombëtarë dhe ne jemi falënderues gjithë jetën për ndihmën që ka dhënë bashkësia ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së dhe plotë vende tjera, që Kosova ta fitojë lirinë, që Kosova të fitojë pavarësinë dhe të avancojë drejt familjes së kombeve.

Kemi marrë shumë njohje dhe u jemi mirënjohës të gjitha këtyre vendeve. Në vazhdimësi, partnerët kanë shprehur shqetësime për shumë aspekte të kundërshtimit tonë. Por, edhe në vazhdimësi ne i kemi argumentuar ato që ndodhin, duke iu shpjeguar se vërtetë Kosova është në momente kritike dhe duhet të ketë reflektim nga qeveritarët.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, nuk ka pasur ndonjë ofertë?

Ramush Haradinaj: Çdo gjë është se, në reflektim të një kauze të drejtë që ka opozita, e që është: ndryshimet në vend, Kosova të fillojë të bëhet - Kosova ekziston, por të fillojë një Kosovë në parametra tjerë - dhe fillon atëherë kush shkojnë qeveritarët e sotëm.

Pra, e gjithë logjika e bashkëbisedimit është këtu. Unë nuk e kam sjellë asnjëherë bisedën në nivel të ndonjë oferte, sepse nuk bisedohet ashtu. Ne jemi serioz dhe përfaqësojmë kauzë serioze, por, kemi biseduar se si do të ecë Kosova përpara, sepse interesi ynë i parë është vendi.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, me politikën që ndjek opozita tash, a mendoni se mund të humbë mbështetja ndërkombëtare edhe në të ardhmen?

Ramush Haradinaj: Mendojmë që ajo që është me rëndësi, bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht partnerët tonë - Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian - ata nuk guxojnë ta lëkundin këtë përkrahje për Kosovën, për shkak se Kosova çdo herë do të ketë procese të brendshme, të mira apo më pak të mira.

Me rëndësi është që edhe ata të gjejnë mënyrën, kur këto procese e fitojnë n jë shumicë, një përkrahje të shumicës së qytetarëve, të bashkëpunojnë me këto procese. Unë e ftoj bashkësinë ndërkombëtare, e ftoj SHBA-në, e ftoj BE-në, që të na ndihmojnë në këto procese të ndryshimit, për shkak se këto janë euroatlantike. Pra, janë procese të ndryshimit euroatlantike. Ne synojmë pikërisht ato standarde qeverisëse, në rend dhe ligj, në ekonomi, që janë euro-perëndimore.

Radio Evropa e Lirë: Në fund, zoti Haradinaj, keni paralajmëruar protestën në ditën kur shënohet 8 vjetori i pavarësisë së vendit. Pse pikërisht në këtë ditë?

Ramush Haradinaj: Është dita e qytetarëve. Pavarësia është e qytetarëve, e popullit dhe atë ditë e kemi ftuar qytetarin, popullin, pra, që t’i reflektojë këto qëndrime. Tani, kërkesat tona janë kërkim llogarie ose llogaridhënie, që nënkupton dorëheqje të qeverisë. Pra, ne, në mbrojtje të Republikës, kërkojmë dorëheqje të qeveritarëve që e kanë thyer obligimin ose betimin e dhënë për Republikën.

XS
SM
MD
LG