Ndërlidhjet

Maqedonia përforcon me gardh të ri kufirin me Greqinë


Gardhi i ri në kufirin Maqedoni - Greqi
Gardhi i ri në kufirin Maqedoni - Greqi

Autoritetet maqedonase kanë vazhduar me forcimin e kufirit jugor me Greqinë, në përpjekje për vendosjen e një kontrolli sa më efikas të hyrjes së migrantëve, të cilët Maqedoninë e shfrytëzojnë si vend transit në destinacionin e tyre drejt shteteve të Bashkimit Evropian.

Përgjatë vijës kufitare, forcat e armatës, të ndihmuara edhe nga policia, kanë vendosur gardh shtesë prej telave me gjemba, me qëllim të parandalimit të hyrjeve ilegale dhe orientimit të migrantëve drejt një pike të vetme hyrëse.

Sipas të dhënave të armatës, gardhi i ri do të jetë i gjatë rreth 37 kilometra, dhe vetëm disa metra larg nga gardhi që ishte vendosur në muajin nëntor, por, që ishte dëmtuar nga protestat e ndryshme të migrantëve.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë thonë se gardh i ri nuk do të thotë mbyllje e kufirit, por ka për qëllimin parandalimin e aktiviteteve të kontrabandimit dhe të mbrojtjes së popullatës lokale nga akte të ndryshme keqbërëse.

Lidhur me çështjen e migrantëve, të mërkurën kanë biseduar edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Çekisë, gjatë një takimi në Shkup.

“Maqedonia ka dëshmuar në praktikë se mund të zbatojë atë për të cilën jemi marrë vesh; ndjeshëm e kemi ulur numrin e kalimeve ilegale të migrantëve, kemi vendosur sistemin e kontrollit, duke miratuar të gjitha kërkesat e migrantëve për azil në shtetet e BE-së, në mënyrë humane dhe shumë të sigurt“, ka deklaruar ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski, pas takimit me homologun e tij çek, Lubomir Zaoralek.

“Dy shtetet jemi të vetëdijshme për dramën që ka kjo krizë për Bashkimin Evropian, por edhe për të gjitha shtetet e tjera,përmes të cilave kalon vala e migrantëve.”

“Andaj për ne është shumë me rëndësi që marrëveshja e cila është arritur në nivel evropian të zbatohet, si pjesa e ndihmës për Turqinë për të gjithë ata migrantë që ndodhen përgjatë kufijve të saj, pastaj kontrolli i kufijve jashtë atyre të BE-së, pra edhe në Greqi, por edhe në sferën e bashkëpunimin mes shteteve. Interesi i Maqedonisë është që në këtë rast të ketë një bashkëpunim shumë të mirë me Greqinë, të mos ketë vendime të njëanshme, që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një kontroll sa më të mirë dhe human për të gjithë ata që kanë bazë për të kërkuar statusin e azilit në BE“, u shpreh Popovski.

Të pyetur lidhur me njoftimet se Maqedonia mund të bëhet kufiri kryesor për pengimin e kalimit të migrantëve, për shkak të, siç thuhet, pakënaqësive nga menaxhimi jo i mirë nga ana e Greqisë, ministri i jashtëm i Çekisë u shpreh:

“Ne duam të bashkëpunojmë, jo vetëm me Maqedoninë, por, me të gjitha shtetet në Ballkanin Perëndimor, pasi nuk duam që ky vend të shndërrohet në kamp për refugjatë, andaj edhe jemi këtu që t’i diskutojmë të gjitha format e bashkëpunimit“, tha Zaoralek.

Ndërsa,ministri Popovski tha se interes i Maqedonisë është vendosja e bashkëpunimit, jo vetëm me Greqinë, por edhe më gjerë, që çështja e migrantëve të mos shkaktojë tensione, por të ketë një trajtim, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare.

Ndryshe, paralelisht me vendosjen e gardhit, po zhvillohen edhe protesta nga taksistët në Gjevgjeli, qytet në kufi me Greqinë, të cilët kanë bllokuar vendkalimin kufitar, Bogorodica.

Ata kërkojnë nga autoritetet vendase që edhe atyre t'ua mundësojnë transportin e migrantëve drejt vendkalimit kufitar me Serbinë.

XS
SM
MD
LG