Ndërlidhjet

Zgjidhja e krizës, shpresat te trysnia ndërkombëtare


Kuvendi i Kosovës; një prej seancave me gaz lotësjellës

Kuvendi i Kosovës; një prej seancave me gaz lotësjellës

Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhje politike për krizën e krijuar në Kosovë, nga analistët politik shihet si e domosdoshme. Marrë parasysh këmbënguljen e partive në pushtet dhe atyre në opozitë që të mos lëvizin nga qëndrimet e tyre fillestare, njohësit e rrethanave politike besojnë se reflektimi nga të dyja palët tani mund të ndodhë vetëm nëse do të ketë një lloj trysnie nga jashtë.

Blerim Burjani, analist politik, mendon se në këtë fazë jo vetëm presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, por asnjë personalitet tjetër politik nga vendi, nuk do të mund t’i përafronte palët.

Andaj, Burjani pret që vetëm një ndërhyrje nga jashtë, përkatësisht nga Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, do t’i shtynte palët drejt arritjes së një marrëveshje politike, qoftë për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme apo për formimin e një qeverie kalimtare.

“Pa një ndërmjetësues kredibil dhe të rëndësishëm për palët nuk do të ketë shtensionimtë gjendjes aktuale pushtet – opozitë, dhe nuk pres ndonjë zhvillim tjetër, për shkak se situata e tanishme ka sjellë betonimin e qëndrimeve të dy palëve; pra, si të pushtetit ashtu edhe opozitës”, ka thënë Burjani.

Ndërkohë, Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se dy bartësit e koalicionit qeverisës, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësi i parë i tij, Hashim Thaçi, herët a vonë do të duhet të ulen me opozitën për të biseduar.

Ai tërheq vërejtjen se sa më gjatë që shtyhet kjo çështje, aq më shumë mund të komplikohet i gjithë procesi i arritjes së marrëveshjes.

“Kryeministri dhe zëvendëskryeministri [Mustafa dhe Thaçi] duhet ta arrijnë një kompromis për këtë gjendje. Se a do të ndodhë kjo tani, para zgjedhjes së presidentit, gjatë mungesës së presidentes (pas kalimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga), apo në fund, pas gjashtë muajve, nuk dihet, por një kompromis duhet të arrihet”, ka theksuar Rashiti.

Përderisa nga partitë politike dëgjohen deklarata se vendi është buzë greminës dhe se pakënaqësitë e qytetarëve janë rritur shumë, Blerim Burjani thotë se kjo më shumë është një retorikë politike që po u konvenon partive dhe individëve, për t’u marrë me politikë.

Sipas tij, qytetarët po tregohen mjaft pasiv, pasi që e kanë kuptuar që partitë e koalicionit dhe opozita luftën kryesore e kanë për pushtet dhe jo për mirëqenien e tyre.

“Gjendja nuk është aq e rëndë, sidomos ashtu siç thotë opozita, se qytetarët po merren shumë me opozitën apo partitë e koalicionit. Gjendja nuk është aq e rëndë dhe se qytetarët janë shumë pasiv dhe nuk po merren me asnjërën palë dhe janë dëshpëruar shumë, për faktin se këto parti politike e kanë sjellë gjendjen deri këtu dhe e kanë bllokuar jetën institucionale. Qytetarëve nuk iu interesojnë interesat grupore, politike, apo të liderëve. Atyre u intereson mirëqenia e tyre”, ka vlerësuar Burjani.

Edhe analisti tjetër, Naim Rashiti beson se gjendja nuk është në atë shkallë sa mund të priten trazira qytetare. Por, ai ka rikujtuar pushtetin se mbanë pjesën më të madhe të përgjegjësisë për krizën dhe çdo eskalim të mundshëm.

“Nuk jemi të brengosur se po shkojmë drejt luftës civile. Nuk po brengosemi se ky vend po rrënohet. Është një krizë e cila po zgjat më tepër dhe për të cilën bartësit e institucioneve do të duhej të merrnin më shumë përgjegjësi”, ka thënë Rashiti.

Tash për tash, partitë e koalicionit këmbëngulin që të procedohet me zgjedhjen e presidentit dhe me vazhdimin e punës së institucioneve, sipas mandatit kushtetueses. Nga ana tjetër, opozita këmbëngulë që qeveria të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kundërshtimi i legjitimitetit të qeverisë aktuale nga ana e opozitës po manifestohet me anë të protestave në rrugë dhe parlament.

Këto protesta kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Liderët e opozitës kanë paralajmëruar protestë për datën 17 shkurt, në ditën kur shënohet 8 vjetori i shpalljes së pavarësisë së vendit.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG