Ndërlidhjet

logo-print

Iniciativa e BE-së për debat me Rusinë ngjall shqetësime

  • RFE /RL

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe shefja për politikë të jashtme e BE-së, Federica Mogherini

Propozimi i Federica Mohgerinit për debatin se si mund të përmirësohet bashkëpunimi me Rusinë ka shkaktuar shqetësime në mesin e anëtarëve të BE-së që duan t’i bëjnë presion Moskës, për shkak të ndërhyrjes së saj në Ukrainë, kanë thënë burime të Radios Evropa e Lirë.

Diskutimi është mbajtur në mes të janarit, ndërmjet anëtarëve të Komisionit Evropian, dosjet e të cilëve përfshijnë lidhje me vendet që janë jashtë Bashkimi Evropian. Qëllimi i kësaj nisme, sipas burimit që ishte brenda takimit, ishte përgatitja e “një koncepti që ndoshta do të mundësonte një bashkëpunim, por pa e rrezikuar pozicionin tonë në raport me sanksionet ndaj Rusisë”.

Takimi ndodhi në fillim të një viti që mund të sjellë zhvillime thelbësore në ngecjen mes Moskës dhe Perëndimit, për Ukrainën. Rusia kërkon të lirohet nga sanksionet që i ka vënë Bashkimi Evropian, si kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjes në Ukrainë, dhe shpreson që vendosmëria e Evropës do të dobësohet, para se të bëhet ripërtëritja e sanksioneve në korrik.

Hollësitë se si do të mund të dukej një bashkëpunim i tillë janë të pakta, por një burim tha se gjë mund të sjellë rritjen e bashkëpunimit ekonomik, në një kohë kur ekonomia e Rusisë është duke u lëkundur.

Ky lloj propozimi ka brengosur vendet anëtare, si Suedinë dhe Poloninë, të cilat frikësohen se uniteti i BE-së lidhur me veprimet e Rusisë në Ukrainë [marrja e Krimesë dhe mbështetja për separatistët e armatosur në rajonin Donbas] ngadalë po shkatërrohet.

Ky propozim vjen një vit pas miratimit të një materiali për diskutim, nga ana e Mogherinit, i cili sugjeronte një qasje më proaktive kundrejt Rusisë, në kohën kur separatistët patën nisur një ofensivë në afërsi të qytetit që zotërohej nga qeveria, Mariupol.

Që atëherë, Mogherini ka qëndruar si më e tërhequr lidhur me çështjen e fqinjëve lindorë të BE-së, dhe ende është e paqartë se sa fërkime mund të sjellë iniciativa e re.

Komisionerët skeptikë

Një zyrtar i BE-së, i cili foli në kushte anonimiteti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se shumica prej komisionerëve evropianë, të cilët morën pjesë në këtë debat, ishin skeptikë.

“Pse duhet ta parashikojmë një skenar [të një bashkëpunimi të madh] tani, kur Rusia nuk është duke lëvizur”, tha zyrtari. Kjo vërejtje ishte një referencë për perceptimet se Moska ka bërë pak lidhur me përmbushjen e obligimeve të veta të Minsk II, një marrëveshje e shkurtit të vitit 2015, për t’i dhënë fund luftës, që la të vrarë më shumë se 9000 njerëz në Ukrainën lindore, dhe rivendosjen e kontrollit të Kievit mbi kufirin e vet.

Zyra e Mogherinit nuk dha menjëherë përgjigje në kërkesën e Radios Evropa e Lirë, më 8 shkurt, për të komentuar këtë temë.

Përderisa pjesëmarrësve në këtë diskutim u ishte kërkuar që të ktheheshin me sugjerime, zyrtari tha se ka pasur disa kontribute konkrete në këtë çështje, që nga takimi i mesit të janarit.

Por, kjo çështje pritet të vihet në plan të parë këtë pranverë, me vende si Italia dhe Austria që pritet ta rrisin tensionin ndaj institucioneve të BE-së, në raport me Rusinë.

Sipas burimeve në Bruksel, diplomatët e BE-së janë njoftuar shkurt gjatë javëve të fundit nga diplomatët amerikanë, të cilët kanë treguar se Rusia mund të bëhet më konstruktive lidhur me zgjidhjen e konfliktit në Ukrainën lindore, gjatë muajve në vijim.

S’ka garanci për zgjatje të Sanksioneve

Optimizmi amerikan buron nga një takim pesë orësh, i muajit të kaluar, në enklavën ruse të Kaliningradit, i zhvilluar në mes të Victoria Nuland, ndihmës sekretarja amerikane e shtetit, dhe Vladislav Surkov, zyrtar i Presidencës së Rusisë.

Sipas burimit të Radios Evropa e Lirë, palët kishin diskutuar në hollësi për përgatitjet për zgjedhje në rajonet e Luhanskit dhe Donetskit, të kontrolluara pjesërisht nga rebelët rusë.

Ndërkohë, një material tjetër për diskutim do të përgatitet mbi marrëdhëniet e BE-së me Rusinë, i cili do të diskutohet gjatë takimit të bllokut të ministrave të jashtëm, të cilët do të takohen në Bruksel më 14 mars.

Shtetet anëtare, të cilat duan ta vazhdojnë presionin ndaj Rusisë, po shpresojnë se ky do të jetë debate i fundit rreth kësaj çështjeje, në nivel ministrash, dhe se bisedimet do të vazhdojnë me krerët e qeverive; veçanërisht kur bëhet fjalë për sanksionet ekonomike, të cilat skadojnë më 31 korrik, nëse ato nuk ripërtërihen.

Burimet e Këshillit Evropian thonë se ripërtërija e sanksioneve, e cila u vazhdua në dhjetor, është larg garancisë së do të ndodhë këtë herë, dhe se çështja pritet të jetë debat i nxehtë në samitin e BE-së në Bruksel, në fund të qershorit.

Diplomatët e BE-së kanë thënë se liderët e BE-së mund t’i fillojnë diskutimet rreth çështjes së zgjatjes së sanksioneve në samitin e BE-së në mars, duke e larguar këtë iniciativë nga ministrat e jashtëm të BE-së.

Një burim i Këshillit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se disa vende frikësohen se, ministrat e jashtëm të BE-së, të cilët janë më dashamirës ndaj Moskës, por, në të njëjtën kohë edhe janë lodhur nga mungesa e progresit, në Kiev do të prezantojnë një listë të propozimeve për bashkëpunimin BE-Rusi, dhe se disa nga ato propozime do të duhet të pranohen, në shkëmbim të zgjatjes së sanksioneve.

Përgatiti: Valjeta Kosumi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG