Ndërlidhjet

Ambasadorët në Kosovë takohen me Veselin për të diskutuar krizën politike


Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, gjatë takimit me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie

Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës, gjatë takimit me ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie

Kriza politike në Kosovë ka qenë gjatë ditës së sotme njëra nga temat e diskutimit në mes të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, dhe ambasadorëve të akredituar në Kosovë, ambasadori amerikan Greg Delawie, ambasadori britanik Ruairi O’Connell si dhe ambasadori norvegjez, Jan Braathu.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Kuvendi, ndër temat e takimeve të sotme kanë qenë “proceset aktuale politike në vend, krizën nëpër të cilën po kalojnë raportet në mes pozitës dhe opozitës, me theks të veçantë reflektimin e tyre në punë e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Ambasadorët kanë theksuar domosdoshmërinë që të hiqet dorë nga përpjekjet që përmes dhunës të diktohen vendimet politike, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjet, sepse kjo bie në kundërshtim me parimet demokratike. Përpjekje të tilla janë duke e dëmtuar shumë imazhin e vendit dhe përparimin e Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin demokratik të shtetit”, thuhet në komunikatë.

Kryetari Veseli citohet të ketë thënë se do të angazhdohet që fryma e dialogut dhe komunikimit, “në fund do të dominojë mbi të gjitha tendencat destruktive politike”.

Në këto takime thuhet se është biseduar edhe rreth procesit të zgjedhjes së presidentit të Republikës së Kosovës.

“Ambasadorët kërkuan që ky proces të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa Kryetari Veseli theksoi se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës do të jetë plotësisht kushtetues, demokratik, transparent dhe inkluziv”, ka njoftuar Kuvendi.

XS
SM
MD
LG