Ndërlidhjet

Mbi 90 për qind e komuniteteve RAE, të papunë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Punësimi vazhdon të mbetet një ndër problemet kryesore, me të cilin ballafaqohen komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas.

Për Radion Evropa e Lirë ka folur 22 vjeçari Kastriot Berisha, nga komuniteti rom, i cili ka përfunduar vetëm shkollimin fillor.

Ai thotë se do të mund të punonte çkado qoftë, por kurrë nuk i është ofruar një punë.

"Papunësia është problemi kryesor. Nuk kemi punë, nuk kemi para, ditët janë të gjata pa punë. Tërë ditën rri kot. Ndonjëherë dalë në treg ose rrugë mos po më ofrohet ndonjë punë, por në të shumtën e rasteve nuk fitoj asgjë", tha ai.

Përfaqësues të Organizatave Joqeveritare të këtyre komuniteteve, shprehin shqetësimin se këto komunitete po neglizhohen, kurse numri i vogël i të punësuarave po ndikon edhe në gjendjen e tyre sociale.

Me këtë problem merret edhe Qendra Dokumentuese për Rom, Ashkali dhe Egjiptas, e cila disa herë ka kërkuar nga organet kompetente përmirësimin e kushteve të këtyre komuniteteve.

Bekim Syla nga kjo organizatë, thotë se punësimi mbetet ndër sfidat më të mëdha.

"Qeveria e Kosovës nuk po e mban premtimin që në bazë të përqindjes së popullatës t'i punësojë njerëzit, duke u përfshirë këtu edhe komunitetet RAE. Këtu në Kosovë punësimi bëhet në mënyrë selektive, nëse e ke dikë të njohshëm të merr në punë, nëse jo mbetesh i papunë".

"Problem tjetër është edhe edukimi adekuat i komuniteteve RAE. Ne kemi ngritur zërin disa herë, për shkelje që ju bëhet komuniteteve lidhur me punësimin, derisa kemi marrë shembull edhe organizatat e huaja, që pothuajse asnjë person i komuniteteve RAE nuk ka qenë i punësuar në këto institucione, derisa vetë këto organizata gjithmonë kanë luftuar për të drejtat e njerëzve nga komunitetet RAE", tha Syla.

Edhe Osman Osmani, drejtor i organizatës joqeveritare "Nevo Koncepti’’ i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndonëse po kalojnë vitet, përmirësim sa i përket çështjes së punësimit te komunitetet rom, shkali, egjiptas nuk po shihet.

Papunësia te këto komunitete është mbi 90 për qind.

"Është një diskriminim në këtë drejtim kur është në pyetje qasja e të rinjve në punësim. Duke e ditur që një përqindje rreth 90 për qind e komuniteteve RAE janë të papunë, atëherë duhet krijuar mundësitë që kanë të bëjnë me përmirësimin e pozitës së tyre".

"Mendoj që politika që është duke e preokupuar Kosovën po e anashkalon marrjen me këtë problem dhe ndihmën ndaj tyre sidomos çështjen e punësimit. Sidoqoftë në Kosovë llogariten se jetojnë deri në 40 mijë romë, ashkali dhe egjiptas, tha Osmani.

Qeveria e Kosovës, tashmë shumë herë ka shprehur përkushtimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve.

Për këtë qëllim, qeveria ka hartuar edhe strategjinë për integrimin e komuniteteve RAE, në dhjetor të vitit 2008.

Por, përfaqësues të komuniteteve, theksojnë se këto dokumente kanë mbetur vetëm në letër dhe asnjëherë nuk janë zbatuar në praktikë.

XS
SM
MD
LG