Ndërlidhjet

Presion mbi Rusinë për të ndaluar bombardimin e civilëve në Siri


Siri

Siri

Perëndimi ka shtuar presionet mbi Rusinë për të ndaluar sulmet ajrore në zonat e populluara të Sirisë.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe kryeministri i Francës, Manuel Valls, kanë thënë se nga sulmet ajrore ruse po vdesin civilë.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kerry ka thënë se Rusia përdor të ashtuquajturat bomba memece, të cilat nuk godasin caqe precize.

“Duhet të kemi paqe, duhet të kemi negociata dhe për këtë, duhet të ndalojmë bombardimin e civilëve”, ka thënë në anën tjetër kryeministri i Francës, Valls.

Në përgjigje, kryeministri rus, Dmitry Medvdev, ka thënë se “nuk ka prova për bombardim të civilëve, edhe pse të gjithë na akuzojnë për një gjë të tillë”.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, ka thënë se së paku 1,015 civilë kanë vdekur nga sulmet ajrore ruse.

Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri në shtator të vitit të kaluar.

Ajo thotë se ka në cak grupet terroriste, por Perëndimi insiston se sulmet ruse godasin pa dallim kundërshtarët e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Kerry ka thënë se Rusia duhet të ndryshojë caqet e fushatës së saj të bombardimeve në Siri, në mënyrë që marrëveshja për ndalimin e armiqësive atje të funksionojë.

XS
SM
MD
LG