Ndërlidhjet

logo-print

Gjykata refuzon kërkesën e Prokurorisë për rastin “Titanik”


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Gjykata Penale e Shkupit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për ndalimin e tetë ish-zyrtarëve të lartë, të dyshuar për përfshirje në falsifikimin e zgjedhjeve në vitin 2013, por edhe për vepra tjera të dënueshme, sipas Kodit Penal të Maqedonisë.

Kjo është bërë e ditur nga Prokuroria Speciale pas bisedave që gjykata ka zhvilluar me të dyshuarit deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Gjykata Penale ka lëshuar shansin që të hyjë në historinë e Maqedonisë. Vendimet do të ankimohen“, thuhet në njoftimin e shkurtër të Prokurorisë Speciale që drejtohet nga Katica Janeva.

Ndryshe, marrja në pyetje e ish-zyrtarëve të lartë ka pasuar konferencën për shtyp të prokurores speciale, e cila bëri të ditur se ka nisur hetime edhe ndaj pesë gjykatësve të Gjykatës Administrative në Shkup, si dhe katër anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të vitit 2013, për veprën penale keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Për mashtrim zgjedhor ngarkohen edhe ish-ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Transportit e Lidhjeve.

Në atë kohë, ministra në këto dikastere ishin Gordana Jankullovska dhe Mile Janakievski.

Me të njëjtën vepër ngarkohet edhe kryetari aktual i Bashkësisë së Pustecit në Shqipëri, lidhur me organizimin dhe ndarjen letërnjoftimeve dhe votimit të maqedonasve të atjeshëm në zgjedhjet në Maqedoni.

Lidhur me këto akuza, partitë politike kanë dalë me qëndrime të kundërta. VMRO DPMNE-ja e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, akuzoi Prokurorinë Speciale për standarde të dyfishta.

“VMRO DPMNE-ja ka votuar për zgjedhjen e Prokurorisë Speciale Publike. Por, fatkeqësisht gjatë periudhës së kaluar ishim dëshmitarë të deklaratave të pamatura nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, që i paralajmëronte hapat e Prokurorisë Speciale publike. Me këtë, në mënyrë drastike është shkelur kredibiliteti i institucionit duke i hedhur hije profesionalizmit dhe paanshmërisë së saj”, thuhet në reagimin e VMRO-së duke akuzuar prokurorinë se punon në bazë të diktateve politike.

Por, nga Lidhja Social-Demokrate e opozitës thonë të kundërtën.

“Prokuroria Speciale Publike punon në përputhje me ligjet e Maqedonisë. Prokuroria Speciale Publike është formuar si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës, që u firmos nga katër partitë dhe është zgjedhur me shumicë dërmuese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë".

"Qytetarët presin që të kthehet besimi në sistemin gjyqësor në Maqedoni. Secili që i ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet në Maqedoni, duhet doemos të mbajë përgjegjësi”, thuhet në reagimin me shkrim të LSDM-së.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim, gjithashtu i kanë dhënë mbështetje Prokurorisë Speciale, por duke kërkuar që të punojë në përputhje të plotë më ligjet në fuqi.

“BDI-ja e përkrah punën e Prokurorisë Speciale, duke e inkurajuar që të punojë në bazë të ligjeve të Maqedonisë. Gjithashtu, u bëjmë thirrje gjitha subjekteve politike, qoftë shqiptare apo maqedonase që të mos e keqpërdorin punën e Prokurorisë Speciale për politika ditore. I bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që të respektojë ligjet dhe normat nëse dikush është i pafajshëm. Ne do të mbështesin çdo rast që është i bazuar në fakte“, ka deklaruar Bekim Neziri, ministër i Ekonomisë dhe kryetar i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Lidhur me dyshimet e ngritura nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore, ka reaguar edhe Ambasada Amerikane në Shkup, duke i dhënë mbështetje të fuqishme punës së prokurores Katica Janeva.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht zyrën e Prokurorisë Speciale dhe rolin e saj në hetimin dhe procedimin mbi kriminalitetin e dyshuar nga përmbajtjet e përgjimeve të paligjshme. Emërimi i Katica Janevës ishte një element thelbësor i marrëveshjes së Përzhinës dhe u aprovua nga të katër partitë politike".

"Ne theksojmë edhe një herë thirrjen tonë kundrejt të gjitha palëve që ta lejojnë zyrën e Prokurorisë Speciale të kryejë detyrën e saj në mënyrë të pavarur dhe të lirë nga çdo lloj forme presioni politik...“, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Ambasadës Amerikane në Shkup.

Ndryshe, akuzat e ngritura ndërlidhen me atë që njihet si aferë e përgjimeve të publikuar para një viti nga opozita.

Ajo pretendon se bisedat kanë vërtetuar përfshirjen e zyrtarëve në, siç thuhet, “krime të rënda, në presione ndaj gjyqësorit, mashtrime zgjedhore, kriminalitet ekonomik, kontrollin e medieve e çështje tjera“.

Por, pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga partitë në pushtet, duke akuzuar opozitën për tentim destabilizimi të vendit me ndihmën e shërbimeve sekrete nga jashtë.

XS
SM
MD
LG