Ndërlidhjet

Kerry: Sanksionet kundër Rusisë do të vazhdojnë


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka akuzuar Rusinë për “agresion të vazhdueshëm” dhe ka thënë se sanksionet kundër saj do të mbeten në fuqi, derisa të zbatohet Marrëveshja e Minskut për paqe në lindje të Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ndërmarrë sanksione ekonomike kundër Rusisë, në përgjigje të mbështetjes së saj për separatistët pro-rusë, të cilët kontrollojnë disa pjesë të Ukrainës lindore.

Sanksionet do të mbeten derisa “sovraniteti dhe integriteti i Ukrainës mbrohen me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Minskut”, ka thënë Kerry të shtunën në Mynih.

Ai ka shtuar se Rusia përballet me një zgjedhje të thjeshtë: zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Minskut ose vazhdimi i sanksioneve.

Kerry ka kujtuar se marrëveshja në fjalë përfshin tërheqjen e forcave ruse nga territori i Ukrainës dhe rivendosjen e kontrollit të Ukrainës përgjatë gjithë kufirit Ukrainë-Rusi.

Mbi 9,000 luftëtarë dhe civilë janë vrarë në lindje të Ukrainës prejse ka nisur konflikti midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë në prill të vitit 2014.

Konflikti ka pasuar aneksimin e paligjshëm që i ka bërë Moska rajonit ukrainas të Krimesë.

XS
SM
MD
LG